Maqedonia e Veriut me të drejtë mban epitetin vend i çudirave. Natyra me bukurinë e saj madhështore magjeps me vështrimin, kurse pamjet kulturore-historike lënë pa fjalë vizitorë të shumtë.
“MOS FLINI KUR E VIZITONI MAQEDONINË e Veriut!"
Sepse do t’i humbisni vendet që do t’ju magjepsin, ku do të ndiheni ngrohtë dhe të dashur dhe, sigurisht, do të shijoni specialitetet më të mira maqedonase, ndaj do të dëshironi të ktheheni sërish.
Kur udhëtoni për në Maqedoninë e Veriut, assesi nuk duhet të kaloni e të mos ndaloni në ndonjërin nga vendet malore maqedonase.
Gjelbërimi dhe natyra e harlisur janë gjërat e para që do t’ju bien në sy me të hyrë në vend. Nuk duhet ta shmangni këtë peizazh me vende të shumta që magjepsin me lumenjtë e tyre, ambientin e këndshëm dhe ushqimet tradicionale të nënqiellit të tyre.
Galiçniku
Kush ka qenë - e di, kush nuk ka qenë - do të pendohet nëse nuk e bën atë së shpejti. Galiçnikun do ta përjetoni më së miri gjatë “Dasmës së Galiçnikut”, por është i mrekullueshëm në çdo kohë të vitit. Vetëm sigurohuni që jeni veshur ngrohtë dhe gati për të shijuar bukurinë e papërpunuar të këtij peizazhi.
Vevçani
Edhe nëse nuk keni pasaportë të Vevçanit, nikoqirët do t’ju mirëpresin dhe do t’ju trajtojnë ngrohtësisht. E vendosur në shpatet lindore rrëzë Jabllanicës, kjo zonë e vogël, por e pasur, shpirtërisht do t’ju kënaqë me natyrën. Mos e anashkaloni ushqimin e shijshëm dhe, nëse keni mundësi, bëhuni pjesë e Karnavalit të Vevçanit për një ndjesi më autentike të kësaj zone.
Smollari
Smollari, me sa duket, është si shumë fshatra në Maqedoninë e Veriut - i qetë, paqësor dhe plot me nikoqirë mikpritës, në komunën e Novo Sellës, Strumicë. Por, ka diçka që e dallon atë nga të tjerët. Është, natyrisht, Ujëvara e Smollarit e vendosur në shpatet veriore të malit Bellasica. Nuk duhet ta humbisni këtë ujëvarë magjike sepse nuk përshkruhet me fjalë.
Për Maqedoninë e Veriut thuhet gjithashtu se është vend i verës. Ju nuk duhet t’i shmangni vizitat e kantinave të vogla familjare dhe të shijoni verën e prodhuar në rajonin e Tikveshit.
Tikveshi është qendra ku prodhohen verërat. Bodrumi më i vjetër i verërave që ka ekzistuar që nga viti 1885 është Bodrumi i Verës “Tikvesh”, i cili prej më shumë se një shekulli prodhon verëra për të gjithë adhuruesit e saj, me rrush nga rajoni i Tikveshit. Ideale për shkak të vendndodhjes së saj, Rajoni i Tikveshit prodhon verëra të cilësisë më të lartë. Brendi më i njohur i verërave të “Tikveshit” është vera e kuqe “T’ga za jug” që bëhet nga lloji më i fuqishëm i verës së zezë “Vranec”.
Kur planifikoni një shëtitje nëpër kryeqytetin Shkup, nuk duhet të humbisni vizitën në Çarshinë e Vjetër të Shkupit.
Kur planifikoni të vizitoni kryeqytetin e Shkupit, nuk duhet të humbisni një shëtitje përgjatë Çarshisë së Vjetër të Shkupit, aorta e qytetit, ku tradita takohet me modernitetin, por sigurisht edhe qendrën e qytetit me monumentet e shumta. Për të parë arkitekturën e bukur, zejtarët e shumtë dhe dyqanet autentike, për të shijuar qebapët, lahmaxhun apo byrek, për të provuar llokum, por edhe kafen dhe çajin turk.
Nëse ju pëlqen klima mesdhetare, mos harroni të vizitoni Dojranin.
Në Dojran do të gjeni një klimë mesdhetare, ngrohtësi dhe mikpritje të njerëzve, por edhe çmime të lira, një liqen të ngrohtë dhe shërues. Klima e ngrohtë mundëson një bollëk të bimëve mesdhetare në oborret e banorëve të Dojranit. Shegët, fiqtë dhe ullinjtë me cilësi të jashtëzakonshme rriten në çdo cep. Aroma mesdhetare në të gjithë Dojranin, e kombinuar me peshkun e shijshëm tradicional mbi kallamishte janë arsyet pse të vizitoni këtë qytet jugor maqedonas. Karakteristikë e këtij specialiteti është se peshku mbështillet me kallamishte dhe kështu piqet në skarë.
Këto janë vetëm disa nga bukuritë që ka Maqedonia e Veriut por, për t’i përjetuar të gjitha ato, duhen më shumë ditë, si dhe shoqërim me popullatën vendase. Janë ata që do t’ju tregojnë për çdo cep të këtij vendi, për zakonet, se ku mund të gjeni skarën më të mirë dhe specialitetet më të shijshme, ku ka festa dhe evenimente të shumta që ia vlen t’i vizitoni.