Ish-nënpresidenti Joe Biden shpalli dje zyrtarisht kandidaturën për zgjedhjet presidenciale të 2020. Ai renditet në anketa në krye të 20 pretendentëve për të marrë emërimin e Partisë Demokrate. Por zoti Biden futet në garë pas dy konkurrimeve të dështuara për Shtëpinë e Bardhë dhe tani përballet me pikëpyetje serioze për moshën e avancuar, qëndrimet e tij politike dhe aftësinë për të tërhequr një brez të ri amerikanësh që përfaqësojnë një elektorat më të larmishëm. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jim Malone ka përgatitur materialin:
Joe Biden u fut në garë pasi shpalli kandidaturën përmes një videoklipi ku sulmonte Presidentin Donald Trump:
“Nëse e zgjedhim Donald Trumpin për tetë vjet në Shtëpinë e Bardhë ai do të ndryshojë përgjithmonë dhe në mënyrë rrënjësore karakterin e vendit. Unë nuk mund të rri pasiv dhe ta lejoj një gjë të tillë”.
Zoti Biden u ndal në veçanti tek komentet e presidentit që janë kritikuar gjerësisht, pas përleshjeve të dhunshme mes supremacistëve të bardhë dhe kundër-protestuesve në Sharlotsvill të Virxhinias në 2017.
Presidenti tha se nga të dyja palët kishte “njerëz shumë të mirë”.
Muajin e kaluar, ndërkohë që zoti Biden po mbante fjalim në Uashington, disa anëtarë të një sindikate zjarrfikësish i bënë thirrje të futet në garë.
“Nuk dorëzohet njeri në Amerikë. Nuk ka ndodhur dhe nuk ka për të ndodhur kurrë, falë jush,” tha zoti Biden.
Politikani veteran po fillon fushatën e tij të tretë presidenciale me një epërsi të vogël, thotë analisti Jim Kessler:
“Ai është në krye të pretendentëve. Nuk ka ndonjë epërsi të madhe siç kishte Hillary Clinton kur u duk që në fillim se ajo e kishte të siguruar. Njerëzit e duan vërtetë zotin Biden dhe besojnë se ai mund ta mundë presidentin”.
Zoti Biden duhet fillimisht të fitojë në garë me pretendentët e tjerë demokratë, ku ka një numër grash dhe përfaqësues të pakicave që po përpiqen të tërheqin votuesit e rinj, thotë eksperti Matt Dallek:
“Është një grup konkurrentësh shumë interesantë; ka shumë kandidatë të fortë. Ka plot prej këtyre pretendentëve me shanse reale për të dalë në krye”.
Zoti Biden është vënë në qendër të vëmendjes kohët e fundit pasi një numër grash thanë se në reagime të drejtpërdrejta ai është sjellë në një mënyrë që i kanë vënë në siklet. Ai është zotuar të tregohet më i kujdesshëm në të ardhmen.
Shumë demokratë e shohin zotin Biden si të moderuar. Ai shpreson se roli si nënpresident në administratën Obama do ta ndihmojë të tërheqë elementin progresiv në parti.
“Të gjithë më pyesin se çfarë soj demokrati jam. Jam demokrat i tipit Obama-Biden dhe e them me krenari,” tha zoti Biden.
Analisti Jim Kessler thotë se epërsia që gëzon do ta bëjë zotin Biden edhe objekt sulmesh:“Përnjëherësh do të fillojnë sulmet, pasi kandidatët e tjerë do të mendojnë se duke e goditur atë, duke e ulur në anketa, do të dalin vetë në krye”.
Presidenti Trump e përshëndeti zotin Biden për përfshirje në garë, duke postuar një koment në Twitter ku e quante “Bideni gjumash”.
Zoti Biden është 76-vjeç. Mosha e avancuar dhe karriera e gjatë si senator mund t’i sjellin probleme, thotë analisti Bill Sweeney.
“Fushatat shohin drejt së ardhmes, jo nga e shkuara. Demokratët do të fitojnë, nëse mbeten të përqëndruar tek e ardhmja”.
Është vetëm fillimi, por për momentin duket se strategjia e zotit Biden po i bind demokratët se ai është kandidati më i mirë për ta mundur Presidentin Trump vitin e ardhshëm.
/VOA/
kandidatura e biden sjell trumpin dhe per 4 vjet te tjera ne presidence.
Përgjigju