Champions League, Bayern-PSG
luajnë shanset e fundit për kalimin

Champions League, Bayern-PSG<br />luajnë shanset e fundit për kalimin
Bayern Mynih dhe PSG do të luajnë sonte shanset e fundit për të shmangur eliminimin nga Champions League. Kampionët e Gjermanisë kanë një sfidë shumë të vështirë përballë Portos, që këtë edicion po rezulton surpriza e Champions League, pasi në ndeshjen e parë shtangu Guardiolën duke e mposhtur 3-1 në Portugali.

Megjithatë ende nuk ka mbaruar asgjë, pasi me një fitore 2-0 Bayerni kalon në gjysmëfinale, por kur mendon që  Pep nuk do të ketë në dispozicion krahët e sulmit, Roben- Riberi, mushkërinë e mesfushës, Bastian Shvainshtager, por edhe Martinez dhe Alaba duket situatë e komplikuar.

Ndeshja e parë përpos formës së dobët të Bayernit u vendos edhe nga gabimet, duke u dhënë mundësi portugezëve që të shënonin shumë shpjet, një gjë të tillë Guardiola kërkon ta shmangë në ndeshjen e sotme duke kërkuar përqendrim maksimal. “Porto është një kundërshtar i fortë fizikisht, mund të na vendosë sërish në vështirësi nëse nuk do të tregohemi të kujdesshëm. Nëse besojmë deri në fund mund të kthejmë rezultatin dhe të kualifikohemi. Kemi mungesa, por besoj se do të jemi në gjysmëfinale.

Jam optimist 100% mbi mundësinë e kalimit, jetoj për këto ndeshja” tha ai. Ndërsa sulmuesi Muller shton se “Një fitore 2-0 në shtëpi kundër Portos nuk do të ishte një mrekulli. Nuk është e lehtë të përballesh me presionin, por tek e fund kjo është vetëm një ndeshje futbolli”. Ndërsa ndeshja tjetër që do të zhvillohet sonte është Barcelona-PSG. Spanjollët janë një hap larg turit tjetër, por trajneri i katalanasve shmang euforinë, teksa shprehet se parisienët mund të kalojnë në gjysmëfinale.

“Kemi rezultat të mirë 3-1, por jo shanse të mëdha. Mund të jemi në gjysmëfinale, por mund të kalojë edhe PSG. Për këtë ne duhet ta sulmojmë, ta mbajmë topin, të ballafaqohemi me presionin" tha Enrique. Për ekipin e PSG i vetmi lajm pozitiv është rikthimi i Ibrahimovic dhe Verratit, por në dyshim është kapiteni Silva, që pësoi një dëmtim ndeshjen e parë në Francë.

Nesër
Dy sfidat e mbetura çerekfinale, Real Madrid- Atletiko Madridit dhe Monaco-Juventus do të nxjerrin nesër 2 ekipet e fundit që do të plotësojnë 4 gjysmëfinalistët për këtë edicion. Sfidat janë të paparashikueshme, pasi derbi madrilen ka dhuruar vitet e fundit gjithmonë surpriza.

Edhe pse Reali është i favorizuar, mungesat e Modric dhe Bale, por edhe dyshimi mbi Benzema luhatin fuqinë e kampionëve në fuqi duke e bërë më komode sfidën për Atletikon. Megjithatë trajneri i Realit, Anceloti shprehet se “Nuk jam i shqetësuar për dëmtimet.

Kam lojtarë të mjaftueshëm që mund t’i zëvendësoj. Me Atletikon kërkojmë kualifikim vetëm me fitore” tha ai. Problemeve me lojtarët nuk u ka shpëtuar as Juventusi që për sfidën përballë Monaco nuk do të ketë në dispozicion dy lojtarë kryesorë.

Kështu pas dëmtimit të Pogba, Alegri nuk do të ketë në dispozicion as kilianin Vidal, i cili sipas mediave italiane ditët e fundit ka pasur probleme me bajamet duke qenë në rrezik për ndeshjen e nesërme. Sipas të gjitha gjasave, Alegri duhet të privohet nga mesfushori duke krijuar shumë boshllëk në mesin e fushës, përballë një kundërshtari surprizë dhe një rezultati që mund të kthehet.


d.balla/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale