Supersfida e mbrëmjës në Champions League mes Atletico Madrid dhe Bayern Munich është fituar 0-2 nga gjermanët, të cilët u rikthyen te 3 pikët pas 2 barazimeve. Në kryeqytetin spanjoll pjesa e parë prodhoi pak episode, ndërsa në të dytën do të zhbllokonte talenti Lenart Karl. Atletico u përpoq të reagonte, por Bayern i vrau shpresat me golin e Laimer. Ky sukses e ngjiti Bayern-in në kuotën e 8 pikëve, ndërsa spanjolët e Simeone-s mbetën me 4 pikë.

Fitore e pastër edhe për Barcelonën që u rikthye te 3 pikët pas disfatës me Paris SG. Katalanasit mposhtën 3-0 Aston Villa-n, me Yamal i cili zhbllokoi shifrat në pjesën e parë, ndërsa në të dytën Rapinha kompletoi ‘dopietën’ dhe vulosi tre pikët.

Mbrëmje e magjishme për Manchester United. ‘Djajtë’ që humbën pjesën e parë 0-2 kundër Romës, në fund të 90 minutave përmbysën italianët me rezultatin 3-2, duke marrë 3 pikë tejet të rëndësishme për situatën ku ndodheshin. Soule dhe Malen me penallti i dhanë Romës shumë shpejt avantazhin e dyfishtë, por në vijim kapiteni Fernandes dhe Matheus Cunha barazuan shifrat. Në minutën e 86 me golin e dytë personal braziliani kompletoi përmbysjen e madhe, duke lënë shumë zhgënjim te skuadra e Gasperinit. Kjo edhe pse Cunha e mbylli ndeshjen me karton të kuq.

Tre pikë shumë të rëndësishme edhe për Interin. Zikaltërit që ishin në kërkim të pikëve, sidomos edhe pas disfatës në derbi kundër Milanit, mposhtën pastër 0-3 Feyenoord. Në Holandë kampionët e Italisë zhbllokuan shumë shpejt rezultatin me Biseck, ndërsa brenda pjesës së parë Esposito dyfishoi shifrat. Në pjesën e dytë Zielinski realizoi golin e tretë të Interit për 3 pikët.

Në sfidat e tjera të orës 21:00 Paris SG masakroi 0-6 Villareal, teksa mbi të tjerët shkëlqeu Fabian Ruiz, i cili realizoi ‘dopietë’. LASK mposhti 4-0 Slovan Bratislavën, ndërsa Bodo Glimt barazoi 0-0 kundër Lille. Më herët në orën 18:45 Galatasaray fitoi 2-0 ndaj Sttutgart, ndërsa Shakhtar humbi 0-1 kundër Sporting Lisbonës.

Rezultatet e mbrëmjes

Galatasaray             2-0      Sttutgart

Shakhtar Donetsk    0-1      Sporting Lisbona

At.Madrid                 0-2      Bayern Munchen

Barcelona                3-0       Aston Villa

Bodo Glimt              0-0       Lille

Feyenoord               0-3       Inter

LASK                       4-0       Slovan Bratislava

Man United              3-2       Roma

Villareal                    0-6       Paris SG