Këtë të martë Champions League do mësojë katër skuadrat e para çerekfinaliste, teksa në program janë katër ndeshjet e kthimt të fazës së 1/8-ave.

Me fillim në orën 18:45 në Lisbonë, Sportingu vendas ka një detyrë shumë të vështirë për të përmbysur humbjen 3-0 të ndeshjes së parë kundër Bodo/Glimt. Këta të fundit janë një realitet në futbollin evropian duke qenë një nga surprizat më të bukura të këtij edicioni.

Në orën 21:00 luhen tre ndeshjet e tjera që premtojnë emocione.

Në 'Etihad', vendasit e Manchester Cityt presin Real Madridin për atë që është quajtur si 'Klasikja' e Evropës. Në ndeshjen e javës së shkuar Real Madridi fitoi 3-0 në 'Bernabeu' falë tripletës së kapitenit Valverde dhe sot djemtë e Pep Guardiolës kanë një detyrë të vështirë për të përmbysur këtë rezultat.

Fillimisht duhen tre gola për ta dërguar sfidën në shtesë dhe më pas 'Qytetarët' do kërkojnë mrekullinë, që për hir të së vërtetës është më shumë se e vështirë, duke parë formën e madrilenëve dhe tre golat avantazh. 'Galaktikët' do kenë të gatshëm Kylian Mbappe, me francezin që nuk projektohet nga minuta e parë. Gjithsesi, për spanjollët do mungojnë Asencio, Ceballos, Eder Militao, Mendy dhe Rodrygo. Nga ana tjetër Pep Guardiola nuk do ketë të gatshëm Josko Gvardiol.

Shifrat - Në 16 përballjet mes tyre në gjithë historinë, Real Madridi ka fituar në shtatë raste, pesë janë fitore të Manchester Cityt, ndërsa katër duele të tjera janë mbyllur në barazim. Prej vitit 2022 skuadrat janë përballur pesë herë në fazën me eliminim direkt të Champions League.

Në 'Emirates' të Londrës, Arsenali do kërkojë fitoren kundër gjermanëve të Bayer Leverkusen, me ndeshjen e parë mes tyre që u mbyll 1-1 në 'BayArena'.

Në 'Stamford Bridge' të Londrës, Chelsea ka një detyrë të vështirë për të përmbysur humbjen 5-2 të ndeshjes së parë në Paris kundër PSG-së. Francezët, kampionë në fuqi të këtij eventi janë 'me një këmbë' në fazën çerekfinale.

Champions League, faza e 1/8-ave, ndeshjet e kthimit:

E martë, 17 mars 2026

18:45

Sporting Lisbone - Bodo/Glimt (0-3)

21:00

Arsenal - Bayer Leverkusen (1-1)

Chelsea - PSG (2-5)

Manchester City - Real Madrid (0-3)

E mërkurë, 18 mars 2026

18:45

Barcelona - Newcastle (1-1)

21:00

Bayern Munich - Atalanta (6-1)

Liverpool - Galatasaray (0-1)

Tottenham - Atletico Madrid (2-5)

Shënim: Në kllapa () rezultatet e ndeshjeve të para