Sezoni 2025 i Formula 1 po i afrohet fundit, por për Ferrarin ai nuk do të mbahet mend si një nga më emocionuesit. Megjithatë, në garën e fundit në Meksikë, Charles Leclerc arriti një tjetër moment të rëndësishëm në karrierën e tij. Monegasku u rendit i dyti, duke siguruar podiumin e 50-të në karrierë me 'Kokëkuqen'.
Me këtë rezultat, Leclerc bëhet piloti i pestë në historinë e Ferrarit që arrin këtë shifër, duke iu bashkuar një liste të lavdishme ku kryeson legjenda Michael Schumacher me 116 podiume, i ndjekur nga Rubens Barrichello dhe Sebastian Vettel me nga 55, si dhe Kimi Raikkonen me 52.
Megjithatë, pavarësisht statistikës mbresëlënëse, Leclerc nuk është plotësisht i kënaqur.
“Jam i lumtur që jam pjesë e kësaj liste dhe kjo tregon se të gjithë kemi punuar fort, por jo mjaftueshëm. Objektivi i çdo piloti është titulli kampion. Unë ende nuk e kam arritur këtë me Ferrarin, ndaj këto podiume nuk kanë shumë vlerë pa një titull. Uroj që viti tjetër të jetë ai i duhur, kjo makinë dhe këta tifozë e meritojnë pas një pritjeje kaq të gjatë”, tha Leclerc, teksa përgatitet për garën e radhës në Çmimin e Madh të Brazilit (9 nëntor).
Komente




