Aventura e trajnerit portugez Andre Vilas Boash te Çelsi nuk ka zgjatur shumë. Presidenti i klubit londinez, ka vendosur ta shkarkojë portugezin nga posti i trajnerit, pas humbjes 0:1 kundër Uest Bromuiçit në Premier League. Lajmin e ka konfirmuar klubi londinez me anë të një deklarate në faqen e vet zyrtare në internet.

“Andre Vilas Boash nuk do të jetë më trajner i Çelsit. Dëshirojmë të shprehim mirënjohjen dhe falënderimet tona për punën e bërë nga ai dhe njëkohësisht zhgënjimin që marrëdhënia jonë përfundoi kaq shpejt. Fatkeqësisht rezultatet dhe paraqitjet e skuadrës nuk kanë qenë fort të kënaqshme dhe nuk patëm shenja përmirësimi në një moment kyç të edicionit”, thuhet në njoftimin zyrtar të klubit.

Zëvendësues i përkohshëm i portugezit do të jetë italiani Roberto Di Mateo, ndeshja e parë e të cilit do të jetë ajo kundër Birmingemit, të martën mbrëma, e vlefshme për Kupën e Anglisë.