14. Më 26 maj 1960, një delegacion shqiptar  i kryesuar nga anëtari i Byrosë politike Gogo Nushi, u nis për Pekin për të marrë pjesë në një takim sindikal, dhe më 3 qershor, një delegacion i dytë , duek përfshirë Haxhi Lleshin dhe Liri Belishovën, të dy anëtarë të Byrosë Politike, u nisën për një muaj në një tur aziatik, drejt Kinës dhe vendeve të tjera fqinje.

Këto dy delegacione të nivelit të lartë, ishin në Kinë gjatë tri javëve të para të qershorit, kur Pekini po lobonte aktivisht mes partive komuniste për mbështetje në konfliktin me Moskën.

17. Hoxha dhe Shehu ishin shumë të ndërgjegjshëm se nëse ata do të merrnin pjesë në Kongresin e Partisë rumune në qershor, në të cilin Hrushovi dhe të gjithë liderët e tjerë satelitë do të ishin prezentë, ata do të ndodheshin nën presion për të marrë një pozicion pro-sovjetik në akuzat që Moska po përgatiste kundër Pekinit.

Hoxha dhe Shehu ndoshta shpresonin të shmangnin çdo qëndrim të jashtëm – qoftë kundër Moskës, qoftë kundër Pekinit – duke mos marrë pjesë fare në atë kongres, e dërguar një delegacion të rangut të tretë, me Hysni Kapon që e kryesonte.

Rrethanat në atë kongres e detyruan Kapon që të adoptonte një qëndrim pro-kinez, dhe dy javë më vonë, Komiteti Qendror i PPSH-së lëshoi një deklaratë mbi kongresin e Partisë Punëtore Rumune, duke bërë tashmë të qartë se udhëheqësit shqiptarë kishin adoptuar një qëndrim të mbështetjes pa rezerva për Kinën.

18. Liderët shqiptarë e kishin hedhur dorashkën dhe tashmë radha ishte e rusëve për të bërë hapin e tyre. Ata duket se kanë dashur t’a bëjnë këtë nëpërmjet dy kanaleve:  e para: Moris Torez (Maurice Thorez) lideri i komunistëve francezë, dhe për një kohë të gjatë idhull i shumë komunistëve shqiptarë, u dërgua në Shqipëri nga fundi i korrikut në një përpjekje të pasuksesshme për të bindur udhëheqësit shqiptarë për “marrëzinë” e tyre.

Pak a shumë në të njëjtën kohë, BRSS shtrëngoi dhëmbët brenda Shqipërisë, duke u përpjekur të realizonte një rrëzim të çiftit Hoxha-Shehu. Pas një kërkese bërë PPSH-së nga KQ PbBRSS, për të dënuar Kinën duke iu bashgkangjitur pjesës tjetër të Kampit, dhe refuzimit shqiptar, nisën sulmet surprizë sovjetike dhe presioniet mbi disa udhëheqës për të rrëzuar lidershipin në fuqi dhe u nxit ushtria për të bërë një puç. Komploti u shtyp në fazat e tij fillestare dhe rreth 200 persona u arrestuan.

19. Me zbulimin e komplotit të gushtit, as Moska dhe as Tirana nuk bënë më ndonjë përpjekje serioze për t’a zgjidhur konfliktin. Moska nisi të aplikojë me të gjitha mjetet presionet, duke marrë parasysh si opsion edhe ndërhyrjen ushtarake, dhe liderët e Tiranës lëvizën me këmbëngulje duke eliminuar elementët e mundshëm pro-sovjetikë në parti.

20. Në një plenum të KQ më 9 shtator 1960, dy zyrtarë të rëndësishëm e të vjetër të PPSH-së, Liri Belishova dhe Koço Tashko, u përjashtuan nga pozicionet udhëheqëse. Në messhtator, qeveria lajmëroi se Mehmet Shehu do të kryesonte një delegacion në OKB, ku do të merrnin pjesë edhe Hrushovi me liderët e tjerë komunistë satelitë. Mosshfaqja e Hoxhës në atë sesion të rëndësishëm, ishte një evidencë tjetër se tashmë thyerja mes dy vendeve po thellohej.

21. Duke dështuar për të rrëzuar qeverinë e Tiranës me komplote të brendshme, BRSS rriti presionin ekonomik dhe nxiti mbështetjen e satelitëve të tij. Blloku sovjetik ktheu mbrapsht një kërkesë për furnizime me 75.000 tonë grurë për të ushqyer nevojat shqiptare.

BRSS gjithashtu nisi në atë kohë të tërheqë teknikët e specialistët e vet nga Shqipëria, siç kishte bërë më parë me Kinën, në korrik të atij viti. Për të lehtësuar presionin në rritje që bënte BRSS ndaj Shqipërisë, Kina dërgoi një sasi prej 45.000 tonësh grurë, nga të cilat 9.000 kishin mbërritur qysh më 10 tetor.

22. Në sesionin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, Shehu u injorua nga kolegët e tij të Bllokut. Nga ana e tyre, shqiptarët morën shënim propozimet e Bllokut për çarmatim, dhe me t’u kthyer në Tiranë, Shehu publikisht sulmoi këto propozime si dhe synimet e tjera të BS. Tashmë s’kishte më dyshim se pozicioni i liderëve shqiptarë do të bëhej përfundimtar në Mbledhjen e të gjitha partive komuniste botërore, në Moskë, në fillimnëntori 1960.

23. Vizita e fundit e Hoxhës dhe e Shehut në Moskë, në nëntor 1960, ishte me siguri e padëshiruar për ta. Ata arritën në dukje të vendosur, jo vetëm për të mbështetur plotësisht planet kineze, por për të shprehur pa rezerva të gjithë mërinë e tyre me liderët sovjetikë.

Në fjalimin e tij në konferencë, Hoxha mbështeti plotësisht kauzën kineze dhe shigjetoi veçanërisht Hrushovin. Ai e hapi fjalimin me një mbrotje të fortë të pozicionit të Kinës në çështjet e politikave ndërkombëtare dhe atyre ideologjike, duke akuzuar Hrushovion se po shkaktonte turbullirë dhe paqartësi në tezat e Leninit.

Në përgjigjen e tij të datës 23 nëntor, Hrushovi nuk u mor fare me akuzat shqiptare, por pak më vonë, ai do të shprehej: E kush dëshiron të merret me Enver Hoxhën?

24. Dy ditë më vonë, Hoxha dhe Shehu, papritur lanë Moskën duke u nisur me tren për në shtëpi, duke lënë aty Kapon dhe Alinë për të firmosur deklaratën e përbashkët të të gjitha partive. Më 27 nëntor, Mao dhe Çu en Lai, në një pritje në ambasadën shqiptare në Pekin, lavdëruan PPSH-në, duke u shprehur krenarë që kishin një shok kaq këmbëngulës si PPSH-ja dhe vlerësonin në këtë kontekst, përpjekjet e popullit shqiptar. 

25. Megjithëse viti i ri do të ishte viti kur marrëdhëniet mes dy vendeve e partive do të ndërpriteshin, fati i lidhjeve të shqiptarëve me BRSS, tashmë ishte vendosur qysh në Mbledhjen e Moskës, në nëntor 1960. Qysh nga ajo ditë e në vijim, tashmë miku i vetëm i fuqishëm i Tiranës në Bllokun kino-sovjetik, ishte Kina e Maos.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 06.03 2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)