Policia e Korçës ka arrestuar në flagrancë një 19 vjeçar nga fshati Bulgarec, nën dyshimin se ka goditur me thikë një 16-vjeçar nga i njëjti fshat, për një lojë me letra

Sipas të dhënave të policisë, i mituri po merr mjekim në spitalin e Korçës dhe është  jashtë rrezikut për jetën. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mjeti prerës (thikë) dhe celulari i të arrestuarit.

"Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, të DVP Korçë, arrestuan në flagrancë shtetasin A. M., 19 vjeç, banues në fshatin Bulgarec, Korçë, pasi mbrëmjen e djeshme, në fshatin Bulgarec, në rrugë, dyshohet se ka goditur me thikë, një 16-vjeçar, banues në fshatin Bulgarec, për motive të dobëta. I dëmtuari po merr mjekim në spitalin e Korçës dhe është  jashtë rrezikut për jetën. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mjeti prerës (thikë) dhe celulari i të arrestuarit" thuhet në të dhënat e policisë. 

Ngjarja ndodhi të mërkurën pas një konflikti të nisur nga një lojë me letra.

Sipas dëshmive, sherri ka nisur fillimisht pasi i riu i plagosur kishte fituar një lojë dhe si “shpërblim” kundërshtari duhej t’i paguante një pije, gjë që ky i fundit nuk e ka pranuar.

Tensionet kanë vijuar edhe ditën pasuese, kur dy të rinjtë janë përfshirë sërish në konflikt. Fillimisht ata janë goditur me grushta, por situata ka dalë jashtë kontrollit duke degraduar në përdorimin e thikës që plagosi 16-vjeçarin në kraharor.

Familjarët e të miturit të plagosur thanë për mediat se të dy familjet nuk kanë pasur konflikte të mëparshme
 

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.


Lajmi kryesor:

I mituri në Korçë u plagos me thikë pas sherrit për lojën me letra, arrestohet autori! Familjarët: U goditën me grushte dhe steka, jemi të afërt (VIDEO)