Art, kulturë dhe spektakël, në vijim, rubrika “Ciceron”, ju njeh me ngjarjet që mund të ndiqni gjatë ditës.
1. Nën ideimin e artistit Gramoz Burba, Ansambli Popullor mban sot në orën 19.00 në Teatrin e Operas koncertin "Shqipëria ime", me këngë të përzgjedhura të tabanit.
2. Në vigjilje të Pavarësisë së Kosovës, çelet sot në orën 17.00 në Qendrën për Hapje e Dialog, ekspozita "Në emër të lirisë", me autor ish komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi.
3. Nga sot, për tri net radhazi rikthehet në skenën e Teatrit Eksperimental komedia "La baby-sitter" me regji të artistit Vasjan Lami e protagonistë, Luiza Xhuvanin, Andia Xhungan dhe Genc Fugën.
4. Teatri Shëtitës “Çajupi” vendos edhe sot në orën 18.00, në teatrin “Skampa” në Elbasan, komedinë “Një dasmë e hatashme” me regji të Kiço Londos e pjesëmarrje të aktorëve si Marjana Kondi e Julian Deda.
5. Në kuadër të përvjetorit të 15-të të Pavarësisë së Kosovës, Qendra Kulturore “Tulla” shfaq sot në orën 19.00 filmin “Vera andrron detin” me regji të Kaltrina Krasniqit.
6. Komedia e trishtë “Profesionisti” e teatrit “Petro Marko”, do të vendoset në regjinë e Leka Bungos, e pjesmarrje të Viktor Zhustit, nga nesër për tri net radhazi në skenën e Teatrit Kombëtar.
7. Vijon të qëndrojë e hapur deri në 18 shkurt ekspozita e artistes
suedeze Susanne Lund Pangrazio, “Nëpër shkorret”, në Galeri 70, në Tiranë.
8. Me 110 nga imazhet më të spikatura përgjatë një shekulli, nga mjeshtrit Alinari tek fotografët më të mirë bashkëkohorë, vijon e hapur deri në 28 shkurt në Galerinë e Arteve Shkodër ekspozita “Italiae”.
Komente












