Art, kulturë dhe spektakël, në vijim, rubrika “Ciceron”, ju njeh me ngjarjet që mund të ndiqni gjatë ditës.
Premiera e baletit “Antikiteti modern”, me koreografi të Enada Hoxhës e Gerd Vasos mbahet sot e nesër në orën 19.00 në Teatrin e Operas. Tri solistë i bashkohen Orkestrës Simfonike, që dirigjohet nga Marco Mancusi.

Teatri i Kukullave sjell premierën “Princeshat dhe bizelja magjike” me regji të Xhuljano Briskaj dhe koreografi të Fatjon Sulstarovës, sot e nesër në orën 10.30 dhe 11.30 në sallën ‘Tonin Harapi’.
Komedia “La Baby Sitter” me regji të Vasjan Lamit vijon të shfaqet sot dhe nesër në orën 19.00 në skenën e Teatrit Kombëtar, me lojën e Luiza Xhuvanit, Genci Fugës e Andia Xhungas.
Vijon edhe sot e nesër në orën 19.00 në skenën e teatrit “Eksperimental”, shfaqja “Shtëpiakë të dëshpëruar” me Artan Imamin në rol të dyfishtë si aktor e regjisor, si dhe interpretim të Indrit Çobanit e Gentian Zenelajt.
Teatri Metropol ka çelur konkursin për artistë urban të grafikës murale nga mosha 18-30 vjeç, me temën e Dashurisë, Luftës e Barazisë. Gara do të qëndrojë e hapur përgjatë gjithë muajit dhe fituesit do të jenë pjesë e perfomancës live “TABLO NGA EKSPOZITA”, që do të mbahet në këtë teatër.
Shfaqja “Profesionisti” me regji të Leka Bungos e pjesëmarrje të Viktor Zhustit, mbahet sot dhe nesër në orën 18.00, në teatrin “Skampa”, në Elbasan.

