Naun Shundi vendos nga sot deri të dielën në orën 19.00 në skenën e Teatrit Eksperimental, shfaqjen “Osman Taka” me autor Arben Iliazin.
U promovua sot në orën 11.00 në Muzeun Shtëpia me Gjethe, numri i katërt i revistës muzeologjike “Dritëhije”.
Nga mjeshtrit Alinari tek fotografët më të mirë bashkëkohorë, çelet sot në orën 18.00 në Galerinë e Arteve Shkodër ekspozita “Italiae”. E konsideruar si një nga koleksionet më të mëdha fotografike në botë, pret vizitorët deri në 28 shkurt.
Humor e situata të rrëfyera në çift, vijon deri të dielën në orën 19.00 në skenën e Teatrit Kombëtar shfaqja “Shtëpiakë të dëshpëruar” me Artan Imamin në rol të dyfishtë si aktor e regjisor, si dhe interpretim të Indrit Çobanit e Gentian Zenelajt.
17 skulptura të Antonio Canovas, një prej skulptorëve më të mëdhenj të neoklasicizmit evropian vijnë në 51 shkrepje të Mimmo Jodice në ekspozitën “Bukuri e përjetshme” të çelur në Muzeun Historik.
“Piçolo mare”, një ekspozitë e veçantë, me krijimtarinë më të mirë të studentëve italianë e atyre vendas, pret vizitorët deri në 14 shkurt në galeritë “Harabel” dhe “Fab”.
Të rinj të arteve pamore, bashkojnë Shqipërinë e Kosovën me krijimtarinë e tyre. Një larmishmëri zhanresh e teknikash ku celebrohet tradita e bashkëkohorja, ftojnë vizitorët deri në në 12 shkurt në Galerinë e Artit Tiranë në ekspozitën “My space”.
Mbahet sot në orën 12.00 në teatrin Bylis gara më e madhe e kërcimit të balerinëve të vegjël të Fierit, “Kërcimi i dashurisë”, pjesë e jurisë është edhe balerina Klaudia Pepa.
Shfaqet sot në orën 18.00 në teatrin “Skampa” në Elbasan shfaqja “Gjaku i martirëve të kombit” me regji të Bajram Torbës.
Shfaqja ‘Profesionisti’ me regji të Leka Bungos e pjesëmarrje të Viktor Zhustit, zhvendoset nga sot në orën 19.00 në teatrin ‘Andon Zako Çajupi’ në Korçë.
Ekspozita “Ukraina në 10 orë”, me imazhe të fiksuara nga Ben Blushi, udhëton në Fier. Ekspozohen sot në orën 18.00, 67 imazhe në Galerinë e Artit ‘Vilson Kilica’.