“Të kam në mendje” është projekti fotografik i drejtuar nga Malda Susuri, që do të prezantohet më 23 nëntor në orën 17:00 deri në orën 24:00 te Piramida. Projekti synon të adresojë sfidat e shëndetit mendor me të cilat përballen të rriturit në Kosovë dhe në Shqipëri si pasojë e pikëllimit dhe humbjes.
“Nata e dymbëdhjetë”nga Uilliam Shekspir është shfaqja që do të vijë për publikun në teatrin e Metropolit në Tiranë më 22, 23 dhe 24 nëntor në orën 19:00.
Vijon të mbahet edhe këtë të premte në Pallatin e Brigadave, Kuvendi Kombëtar i Gjuhës Shqipe. Në ditën e dytë të këtij Kuvendi do të prezantohet Fjalori i madh i Gjuhës Shqipe dhe puna që është bërë deri më tani me këtë fjalor. Mes shumë çështjeve dhe problematikave të tjera lidhur me gjuhën do të diskutohet edhe për të ardhmen e shqipes në epokën e teknologjisë.

“E bija e hënës dhe e diellit” është shfaqja teatrale me kukulla që do të shfaqet këtë të shtunë dhe të diel, më 23 dhe 24 nëntor në orën 10:30 në sallën “Tonin Harapi” të Liceut Artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Mosha e sugjeruar për ta ndjekur këtë shfaqje është mbi 7 vjeç.
“Realizmi Socialist” është ekspozita imersive që çelet më 22 nëntor në orën 19:00 në “Galerinë e Arteve Digjitale” në Korçë. Në këtë ekspozitë veprat monumentale të realizmit socialist marrin frymë përmes fuqisë dhe optikës bashkëkohore digjitale.
SI.E./r.k./Shqiptarja.comKomente

