Çelet sot në orën 16.30 në Shtëpinë e Evropës ekspozita “Mirdita në fotografi”, ku do të evidentohet ndër të tjera trashëgimia kulturore, arkitektonike dhe punët artizanale të zonës.
Ekspozita “Alkimia e trupave dhe entiteteve të tjera” e artistëve Iva Lulashi dhe Lek M.Gjeloshi dhe me kurim të Qendrës së Artit “Harabel” qëndron e hapur deri në 12 janar në galerinë “NAAN” në Tiranë.
Viti nis me të qeshura në teatrin “Andon Zako Çajupi” në Korçë. Edhe sot në orën 19.00 Franc Bregu, Juxhin Plovishti dhe Silvio Goskova ju presin me shfaqjen “Ku do të vesh ti?”
Me imazhet e të akuzuarve në diktaturë, të fiksuara nga fotografët e Agjencisë Telegrafike Shqiptare, ekspozita “Gjyqet”, e kuruar nga Zef Paçi, Luçjan Bedeni dhe Lek M.Gjeloshi, qëndron e hapur në Muzeun Marubi në Shkodër deri në 24 janar.
Pret vizitorët deri në 22 janar në galerinë e arteve “Edward Lear” në Berat ekspozita “Artistë të njohur dhe Berati, qyteti i shkëlqyer modern i Antipatreas shekullore”. Një tjetër projekt i Galerisë Kombëtare të Arteve i drejtuar nga Olsi Laska dhe i kuruar nga Suzana Varvarica.
Komedia e Dario Fo “Martesë me kushte” çel sezonin e shfaqjeve në Teatrin Kombëtar për këtë vit, nga nesër në orën 19.00 për tri net radhazi me regji të Altin Bashës, dhe interpretim të dyshes Olta Daku dhe Gazmend Gjoka.