Teatri Kombëtar i Operas nis programin për këtë vit me koncertin vokalo-simfonik “Simfonitë e shpirtit”. Luhen sot në orën 19.00  “Simfonia tragjike” nga Feim Ibrahmi, si dhe "Valsi i Trendafilave" e “Koncerti nr. 6 për violinçel dhe orkestër” nga Aleksandër Peçi.

Për vogëlushë e familjarë, Teatri Eksperimental mban sot e nesër në orën 10.30 shfaqjen "Bëhu trim pinguin i vogël" me regji e koreografi të Semela Skënderasit.

Trupa e Cirkut dhuron numra të larmishëm sot e nesër në orën 11.00 me premierën “Shake Spirit”, në sallën e re pranë Komunës së Parisit.

Teatri i Kukullave rikthen shfaqjen “Tre derrkucët me regji të Paolo Comentale. Zbuloni çndodh me ujkun që do të bëhet yll muzike, sot e nesër në orën 10.30 dhe 11.30 në sallën “Tonin Harapi” pranë Liceut Artistik.

Teatri Shëtitës ndal këtë fundjavë në Elbasan. Sot e nesër në orën 10.30 dhe 11.30 luhet në teatrin “Skampa” shfaqja për fëmijë “Fuqia e dëshirave” me autore dhe regjisore Greta Bacin.

Drama “Dua një vend” nga Andreas Flourakis dhe me regji të Ema Andreas vijon sot e nesër në orën 19.00 në Teatrin Eksperimental.

Vijon në skenën e Teatrit Kombëtar sot e nesër në orën 19.00 stand-up komedia franceze  “Shtëpiakë të dëshpëruar”, me regji e skenografi të Artan Imamit, i cili shoqërohet në skenë nga Indrit Çobani dhe Gentian Zenelaj.

Ekspozita e artistes Blerta Kambo “Burri i Kështjellës” (Man of the castle”) pret vizitorët në Qendrën për Hapje dhe Dialog në Kryeministri ekspozita deri në 14 shkurt.

Ekspozita “NINGYŌ: Arti dhe bukuria e kukullave japoneze” , e realizuar  në bashkëpunim me Teatrin e Kukullave dhe artisten Merita Selimi qëndron e hapur në Galerinë e Arteve Tiranë deri në 2 shkurt.