Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kërkuar nga Berlini që rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian të mos matet vetëm me përparimin në dokumente, por me reformat që zbatohen në vend, respektimin e institucioneve dhe votën e qytetarëve.
Gjatë vizitës në Bundestag, më 23 nëntor, Tabaku u takua me deputetin e CDU-së, Peter Beyer, i cili merret me çështjet e Ballkanit Perëndimor, si dhe me kryetarin e Komisionit për Çështjet e Bashkimit Europian, Anton Hofreiter.
Në takimin me Beyer, deputetja demokrate diskutoi për ecurinë e integrimit të Shqipërisë. Ajo theksoi se Gjermania mbetet mbështetëse e anëtarësimit, por se përparimi duhet të mbështetet te merita dhe përmbushja e standardeve.
“Shqipëria ka nevojë të ndryshojë rrënjësisht dhe ndryshimi vjen përmes demokracisë dhe shtetit ligjor, respektit për institucionet dhe votën”, shkroi Tabaku pas takimit.
Ndërsa në bisedën me Hofreiter, ajo ngriti shqetësime për mënyrën si qeveria shqiptare po e trajton procesin e integrimit, duke kërkuar që roli i Kuvendit dhe standardet demokratike të respektohen në praktikë.
“Nuk na duhet një Shqipëri me letra në BE, por një Shqipëri realisht në frymën dhe ligjin europian”, u shpreh Tabaku.
Gjatë ditës së parë në Berlin, Tabaku zhvilloi takime edhe me deputetin e CDU-së, Olav Gutting, dhe përfaqësues të Fondacionit Konrad Adenauer.
Deputetja ndodhet në kryeqytetin gjerman me ftesë për të marrë pjesë në Forumin e Politikës së Jashtme të Berlinit, që organizohet më 24 nëntor nga fondacioni Körber-Stiftung.










Komente
Komento