Cilat janë destinacionet e reja nga Aeroporti i Tiranës? 

Cilat janë destinacionet e reja nga Aeroporti i Tiranës? 

Aeroporti Nene Tereza

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) ofron këtë sezon mundesi të reja fluturimi për qytetarët shqiptarë dhe turistët që vizitojnë vendin tonë, duke rritur ndjeshëm numrin e destinacioneve direkte.

Zgjerimi i hartës së destinacioneve dhe larmia e linjave ajrore janë zhvillime të jashtëzakonshme për pasagjerët që fluturojnë nga ky aeroport, duke shmangur kështu ndalesat tranzit në vende të tjera.TIA ka nënshkruar një sërë marrëveshjesh të reja me disa linja ajrore që më parë nuk operonin në Shqipëri si edhe ka shtuar listën e vendeve me linjat ekzistuese. Nisja e fluturimeve në destinacionet e reja pritet të rrisë edhe më shumë numrin e pasagjerëve që vazhdon të kapë shifra rekord edhe për muajt e parë të vitit 2024.  

Mbi 100 destinacioneve aktuale dhe 40 linja ajrore (24 linja të skeduluara dhe 16 linja çarter turistik), i shtohen edhe qytete që më parë nuk mund të udhëtohej pa tranzit. Tashmë, kushdo mund të planifikojë një udhëtim drejt e në Abu Dhabi, të kalojë pushimet e verës në Rhodos, të vizitojë qytetin e magjishëm të Amsterdamit, të shkojë në Riga për një eksplorim të veçantë të vendeve balltike apo të mrekullohet nga perfeksioni i qyteteve të veriut të Europës si Oslo, Kopenhagen dhe Stockholm ose të ketë një aventurë në shkretëtirën arabe të Kuvajtit.

Në Valencia mund të keni patur gjithmonë dëshirë të provoni paejan shoqëruar nga një Agua de Valencia dhe të vizitoni qytetin e shkencës dhe natyrës projektuar nga Kalatrava. Ndërsa për ata që dëshirojnë komoditetin, mund të zgjidhni një prej resorteve të Antalias apo Izmirit. Ky rrjet i zgjeruar e vendos Tiranën në një pozicion qendror që i shërben jo vetëm udhëtarëve lokalë por edhe atyre të vendeve fqinje. Vetëm përgjatë muajve të parë të këtij viti, në TIA numërohen mbi 20,000 pasagjerë nga Mali i Zi, mbi 42.000 nga Kosova dhe më shumë se 10.000 nga Maqedonia e Veriut. Kjo tregon që larmia e destinacioneve në TIA është tërheqëse edhe për udhëtarët e vendeve fqinje. 

Nën drejtimin e Kastrati Group, aksionerit të vetëm të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës dhe bashkëpunimit me Autoritetin e Aviacionit Civil, po punohet intensivisht për të akomoduar kërkesat në rritje të udhëtarëve dhe njëkohësisht për të shtuar përherë e më shumë gamën e destinacioneve.  

Me Croatia Airlines, nisin fluturimet direkte drejt Zagrebit, nga 20 qershori. Air Baltic shton qytetin e Rigës si destinacion në periudhën maj – tetor. WizzAir shton Valencian dhe Leipzig në listën e destinacioneve të këtij viti. Sun Express do të ketë linjë direkte me Izmirin për sezonin qershor – tetor.

Transavia ka nisur lidhjen direkte me Amsterdamin. RyanAir do të shtojë Marsejën, Kalabrinë, Birmingamin dhe Bristolin, nga Tirana. Aegean do të lidhë Tiranën me ishullin e Rhodos dhe Heraklion përgjatë muajve qershor – tetor. Norwegian çel destinacionet drejt Kopenhagen dhe Oslo, gjatë muajve maj – tetor.

Antalia do të jetë e aksesueshme nga Tirana që prej qershorit, me Pegasus. Si edhe Stutgarti me Eurowings duke nisur nga marsi e në vazhdim.  

Rrjeti i zgjeruar i TIA ofron variacion destinacionesh, duke siguruar që pasagjerët të mund të arrijnë në vendet e dëshiruara në mbarë botën, të gjitha me çmime konkurruese.  

S.G/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Tayna tregon momentin e arrestimit në Zvicër: Qëndrova 5 orë në burg

Tayna tregon momentin e arrestimit në Zvicër: Qëndrova 5 orë në burg