Pjesëmarrje rekord në zgjedhjet parlamentare në Izrael, ku qytetarët po votojnë sot për të vendosur nëse Benjamin Netanyahu do të vazhdojë të qëndrojë në pushtet apo vendi do të ketë një qeveri të re.

Deri në orën 14:00 me orën lokale, kishin votuar, mbi 3 milionë izraelitë ndërsa gara mes kryeministrit dhe rivalit të tij kryesor, Gadi Eisenkot, është shoqëruar me akuza për manipulim të zgjedhjeve.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pjesëmarrja ka arritur në 44,9%, krahasuar me 38,9% në të njëjtën orë në zgjedhjet e vitit 2022. Kjo është pjesëmarrja më e lartë e regjistruar në këtë orë që nga viti 1973.

Rreth 7,3 milionë qytetarë janë thirrur për të zgjedhur parlamentin e ri me 120 vende, në zgjedhjet e para që prej sulmeve të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023 dhe luftërave që pasuan në Gaza dhe Iran.

Pjesëmarrja e lartë ka krijuar radhë të gjata në qendrat e votimit, duke detyruar autoritetet të marrin masa për përshpejtimin e procesit. Komisioni Zgjedhor ka lejuar qytetarët të votojnë edhe me dokumente identifikimi të skaduara, për sa kohë fotografia mundëson identifikimin e tyre.

Ndërkohë, kryeministri Benjamin Netanyahu ka ngritur alarmin për mobilizimin e votuesve të opozitës, duke u bërë thirrje mbështetësve të partisë së tij, Likud, të dalin masivisht në votime.

“Është koha të zgjoheni. Shkoni të votoni dhe bindni edhe të tjerët. Votoni Likudin”, shkroi Netanyahu në rrjetin social X, duke pretenduar se votuesit e majtë po shkojnë masivisht në qendrat e votimit, ndërsa ata të djathtë po tregohen indiferentë.

Më pas, gjatë votimit së bashku me bashkëshorten Sara në Jerusalem, kryeministri shkoi edhe më tej me akuzat.

“Po përpiqen të na vjedhin zgjedhjet”, deklaroi ai, duke iu referuar arrestimit të tre personave që, sipas tij, kishin lidhje me partinë arabe Ra'am dhe ishin kapur me zarfe të mbushura me para në jug të vendit.

Netanyahu paralajmëroi se një fitore e opozitës me mbështetjen e partive arabe do të sillte “fundin e Izraelit siç e njohim deri më sot”.

Deklaratat e tij sollën kundërpërgjigjen e partisë Yashar, të drejtuar nga Gadi Eisenkot, ish-shefi i ushtrisë izraelite dhe rivali kryesor i Netanyahut në këto zgjedhje.

“Netanyahu është në panik dhe ka filluar të shpikë histori, duke pretenduar se zgjedhjet janë manipuluar. Nuk është rastësi. Ai po hedh që tani bazat për të kundërshtuar rezultatet zgjedhore”, deklaroi partia e Eisenkotit.

Yashar u bëri thirrje mbështetësve të sigurojnë një fitore me diferencë sa më të madhe ndaj Likudit, në mënyrë që Netanyahu të mos ketë hapësirë për të kundërshtuar rezultatin.

Nga ana tjetër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përgënjeshtruar raportimet për manipulime sistematike të fletëve të votimit, duke sqaruar se deri tani nuk ka të dhëna që provojnë ndërhyrje të tilla. Komisioni theksoi se çdo denoncim për raste të veçanta po shqyrtohet.

Një tjetër zhvillim gjatë ditës ishte ndalimi i një burri që iu afrua me thikë Yair Golanit, ish-gjeneral dhe drejtues i një prej partive të opozitës, gjatë një aktiviteti elektoral në Tel Aviv. Sipas partisë së tij, truprojat ndërhynë përpara se personi të kryente ndonjë veprim, ndërsa policia e mori në ndalim.

Pjesëmarrja e lartë e qytetarëve arabë në votime ka nxitur gjithashtu reagimin e ministrit të ekstremit të djathtë, Itamar Ben Gvir, një prej aleatëve të Netanyahut.

“Përqindjet e votimit në sektorin arab janë të çmendura. Mos i lini të fitojnë!”, deklaroi ai, duke u kërkuar mbështetësve të votojnë për partinë e tij.

Edhe në zonat ku jetojnë komunitetet hebraike ultraortodokse, që tradicionalisht mbështesin partitë aleate të Netanyahut, janë regjistruar radhë të gjata votuesish. Këto parti kërkojnë që burrat që studiojnë në shkollat fetare të vazhdojnë të përjashtohen nga shërbimi ushtarak, një prej çështjeve që ka shkaktuar përplasje të mëdha politike në Izrael.

Pjesëmarrje e lartë është regjistruar edhe mes ushtarëve izraelitë. Deri në orën 13:00, kishin votuar 48% e tyre, krahasuar me 44,4% në të njëjtën orë në zgjedhjet e vitit 2022.

Zgjedhjet e sotme konsiderohen një provë për Netanyahun, kryeministrin më jetëgjatë në historinë e Izraelit, i cili përballet me kritika për dështimet e sigurisë që paraprinë sulmet e 7 tetorit 2023, si dhe për mënyrën se si ka drejtuar vendin gjatë konflikteve në Lindjen e Mesme.

Përballë tij qëndron Gadi Eisenkot, i cili drejton të ashtuquajturin “blloku i ndryshimit”, një bashkim partish me qëndrime të ndryshme politike, por me synimin e përbashkët për t'i dhënë fund qeverisjes së Netanyahut.

Megjithatë, sondazhet e publikuara përpara zgjedhjeve nuk i jepnin asnjërit prej dy kampeve 61 mandatet e nevojshme për të krijuar shumicën parlamentare. Kjo do të thotë se edhe pas numërimit të votave, partitë mund të përballen me negociata të gjata për formimin e qeverisë.

Qendrat e votimit do të mbyllen në orën 22:00 me orën lokale, ose 21:00 me orën shqiptare, kur pritet të publikohen edhe sondazhet e para në dalje të votuesve. Rezultati përfundimtar mund të ndikohet edhe nga votat e ushtarëve dhe rezervistëve, një pjesë e të cilave pritet të numërohen të mërkurën.

Nëse asnjëra palë nuk arrin të krijojë një shumicë, Izraeli rrezikon një tjetër bllokim politik, si ai i viteve 2019-2022, kur vendi zhvilloi pesë palë zgjedhje për shkak të pamundësisë së partive për të formuar një qeveri.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:51
Zgjedhjet në Izrael/ Pjesëmarrja e votuesve arabë mund të arrijë në 70%! Partitë e tyre mund të vendosin kush do të formojë qeverinë

Votuesit arabë mund të luajnë një rol vendimtar në zgjedhjet parlamentare që po zhvillohen sot në Izrael, ku gara mes kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe rivalit të tij kryesor, Gadi Eisenkot, mbetet e ngushtë. Sipas parashikimeve të sondazhistëve të raportuara nga CNN, pjesëmarrja e qytetarëve arabë mund të arrijë në 70%, nga pak më shumë se 50% që ishte në zgjedhjet e vitit 2022.

Kjo rritje e mundshme e pjesëmarrjes merr rëndësi të veçantë pasi as Netanyahu dhe as Eisenkot nuk duket se kanë një rrugë të qartë për të siguruar shumicën e nevojshme parlamentare për formimin e qeverisë së ardhshme.

Në këto kushte, dy partitë kryesore me shumicë arabe, Ra'am e Mansour Abbasit dhe Lista e Përbashkët e Yousef Jabareenit, mund të kenë një rol vendimtar në krijimin e shumicës.

Megjithëse partitë kryesore izraelite kanë përjashtuar një bashkëpunim të drejtpërdrejtë me to, sipas CNN, partitë arabe mund ta mbështesin Eisenkotin nga jashtë koalicionit, duke i siguruar numrat e nevojshëm për të formuar qeverinë.

Në fillim të këtij muaji, drejtuesi i Listës së Përbashkët, Yousef Jabareen, deklaroi se partia e tij ishte e gatshme të shërbente si një “rrjet sigurie” për të larguar Netanyahun nga pushteti.

Ndërkohë, pasi votoi sot, drejtuesi i partisë Ra'am, Mansour Abbas, u bëri thirrje qytetarëve arabë të ushtrojnë të drejtën e votës.

“Kjo është thelbësore për të ndryshuar situatën tonë dhe për të përballuar problemet me të cilat ndeshemi si komunitet arab, si dhuna, kriminaliteti, shembja e banesave, gjobat, racizmi dhe nxitja e urrejtjes. Vota është një mjet i rëndësishëm për të ndryshuar situatën politike. Një qeveri që ka ardhur në pushtet përmes votës mund të largohet po përmes votës”, deklaroi Abbas.

Ora 16:45
Zgjedhjet në Izrael/ Eisenkot zotohet para varrit të të birit: Do ta bashkojmë vendin dhe do t’i fitojmë luftërat

Gadi Eisenkot, rivali kryesor i kryeministrit Benjamin Netanyahu në zgjedhjet parlamentare që po zhvillohen sot në Izrael, ka vizituar varrin e djalit të tij përpara se të votonte, duke premtuar se do ta bashkojë vendin dhe do t'i fitojë luftërat.

Drejtuesi i partisë së djathtë Yashar dhe ish-shefi i ushtrisë izraelite shkoi në varrezat ushtarake të Herzliyas, ku prehet djali i tij, Gal, i vrarë në luftime më 7 dhjetor 2023.

Eisenkot vizitoi gjithashtu dy zona në jug të Izraelit, të goditura gjatë sulmeve të Hamasit më 7 tetor 2023. Në një mesazh të publikuar në rrjetin social X, ai kujtoi nisjen e operacionit tokësor izraelit në Gaza, tre vjet më parë, si dhe ushtarët që humbën jetën apo u kthyen të plagosur nga lufta.

“Përpara se të votoja sot, shkova te varri i djalit tim të dashur, Gal. E kujtoj mirë atë moment, mendimin dhe vendimin e rëndë për forcat tona që niseshin drejt një misioni të rëndësishëm dhe të drejtë, duke e ditur se shumë prej tyre nuk do të ktheheshin. Shumë të tjerë do të ktheheshin ndryshe, të plagosur në trup dhe në shpirt. Ndryshimi që do t'i sjellim sot popullit të Izraelit është i nevojshëm, vendimtar dhe historik. Ndryshimi duhet të ndodhë. Vetëm me të dhe me besimin tuaj do ta kthejmë Izraelin në drejtimin e duhur. Ndiej peshën e përgjegjësisë së madhe që kemi, për të qenë të denjë për ata që ranë, për sakrificën e tyre dhe jetën që lanë pas, si dhe për shtetin që u premtojmë vetes dhe brezave të ardhshëm. Angazhohem ta bashkoj sërish Izraelin, t'i fitoj luftërat dhe t'i garantoj siguri këtij populli të jashtëzakonshëm. Ky është misioni i jetës sime”, deklaroi Eisenkot.

Ish-shefi i ushtrisë izraelite ka qenë pjesë e kabinetit të luftës nga 12 tetori 2023 deri në qershor 2024.

Ora 16:42
Zgjedhjet në Izrael/ Forcohet monedha izraelite, shekeli arrin nivelin më të lartë ndaj dollarit në 3 javët e fundit

Monedha izraelite, shekeli, është forcuar me mbi 1,2% ndaj dollarit amerikan, në një kohë kur Izraeli po regjistron pjesëmarrje rekord në zgjedhjet parlamentare. Një dollar po këmbehet me 3,0419 shekelë, niveli më i lartë i monedhës izraelite që prej 6 tetorit, pra në tre javët e fundit.

Ora 16:39
Zgjedhjet në Izrael/ Pjesëmarrje rekord në 50 vitet e fundit! Deri në orën 16:00 kanë votuar 55,7% e qytetarëve

Pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare në Izrael ka arritur në 55,7% deri në orën 16:00 me orën lokale, duke shënuar një rekord për 50 vitet e fundit. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në të njëjtën orë në zgjedhjet e vitit 2022 kishin votuar 47,5% e qytetarëve. Të dhënat e reja konfirmojnë pjesëmarrjen rekord në votimet për parlamentin izraelit, Knesset.