Importet vijojnë të jenë një nga shtyllat kryesore të të ardhurave në buxhetin e shtetit, duke reflektuar jo vetëm strukturën e konsumit në vend, por edhe varësinë e ekonomisë nga tregjet e jashtme.

Referuar të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, të ardhurat totale nga mallrat kryesore të importit për vitin e kaluar regjistrohen në 186,5 miliardë lekë, ndërsa disa kategori mallrash dominojnë ndjeshëm në arkëtimet fiskale.

Konkretisht, në krye të listës qëndrojnë karburantet e importit, me rreth 55 miliardë lekë të ardhura apo 550 milionë euro për vitin 2025, duke mbajtur peshën kryesore të të hyrave doganore në buxhet me rreth 30 % të totalit . Ky pozicion lidhet drejtpërdrejt me konsumin e lartë nga ana e qytetarëve shqiptarë dhe bizneseve dhe nivelin e taksave mbi këtë kategori, ku më shumë se gjysmën e çmimit e përbën barra fiskale.

Në vendin e dyte për nga sasia e të ardhurave që sjellin në arkën e shtetit renditen cigaret, me afro 42.8 miliardë lekë, një tjetër produkt me barrë të lartë fiskale që garanton të ardhura të qëndrueshme për arkën e shtetit por gjithashtu edhe me konsum të lartë.  Kjo për shkak edhe se akciza e cigareve sipas kalendarit të miratuar nga qeveria rritet çdo vit.  të ardhurat nga cigaret zënë një peshë prej 17.9 % të totalit të të ardhurave.

Një distancë e dukshme vërehet më pas me kategoritë e tjera. Metalet bazë dhe artikujt prej tyre kontribuojnë me mbi 14.5 miliardë lekë, të ndjekura nga automjetet e përdorura rreth 9.7 miliardë lekë dhe ushqimet e përgatitura mbi 6.6 miliardë lekë. Këto të dhëna tregojnë një kombinim mes kërkesës për investime, konsum dhe nevoja bazë.

Në grupin e mesëm të të ardhurave përfshihen veshjet dhe tekstilet, materialet e ndërtimit dhe plastika, secila me mbi 5 miliardë lekë. Këto kategori lidhen ngushtë me sektorë kyç të ekonomisë si ndërtimi dhe tregtia me pakicë. Ndërkohë, produkte si detergjentet dhe parfumeria, energjia elektrike dhe gazi i lëngët konfirmojnë rolin e tyre si mallra të konsumit të përditshëm me ndikim të qëndrueshëm fiskal.

Lista vijon me elektro-shtëpiaket, birrën e importit dhe kimikatet inorganike, ndërsa në pjesën e fundit renditen frutat dhe perimet, mobiliet, druri dhe artikujt prej tij, mishi, këpucët dhe pajisjet fotografike. Edhe pse me kontribut më të vogël, këto produkte plotësojnë panoramën e gjerë të importeve që gjenerojnë të ardhura për buxhetin.

Struktura e këtyre të ardhurave nënvizon jo vetëm peshën e taksave mbi mallrat e akcizës si karburantet dhe cigaret, por edhe varësinë e ekonomisë nga importet për të përmbushur kërkesën e brendshme./ScanTV