Ministrit Gjiknuri ka inspektuar sot në terren operacionin për kontrollin fiskal, cilësor dhe sasior të pikave të tregtimit me shumicë dhe pakicë të lëndëve hidrokarbure.
 
Sipas ministrit janë kontrolluar 16% e subjekteve ku janë konstatuar edhe një serë shkeljesh.
 
Ministri  tha se ky operacion bëhet për të luftuar problematikat e sektorit hidrokarbur sidomos duke u fokusuar tek evazioni fiskal dhe tek cilësia e standardeve të produkteve hidrokarbure.
 
"Jemi në një proces të kontrollit të një prej pikave të karburanteve. Është një proces tanimë i njohur për publikun, me një intensitet të lartë në kuadër të operacionit shumë të rëndësishëm që ka ndërmarrë qeveria, për të luftuar problematikat e sektorit hidrokarbur, kryesisht evazionin fiskal, problemet e cilësisë dhe standardeve të produkteve.
 
Në këtë operacion janë së bashku disa institucione. Në krahun tim ndodhet edhe drejtoresha e Inspektoratit Shtetëror, Teknik dhe Industrial, pra ai që deri dje njihej si IQT. Ky inspektorat përgjegjës po ushtron të gjitha kompetencat brenda kapaciteteve ligjore, për të mbrojtur konsumatorin shqiptar dhe për të mbrojtur tregun përmes standardeve të kërkuara.
 
Operacioni ka një intensitet të lartë, deri më tani kanë kaluar në filter mbi 16% e subjekteve që tregtojnë karburante. Mund të themi se kemi konstatuar një pjesë të problemeve, të cilat po adresohen si me masa ndëshkimore, ashtu edhe me masa të karakterit korrektues. Këtu përfshihen edhe ndryshimet që po bëjmë në kuadrin ligjor, për ta forcuar më shumë kontrollin e këtij tregu," - tha ministri.

 
Sipas ministrit Gjiknuri, konstatimet kryesore deri më tani kanë të bëjnë kryesisht me problematikën e evazionit fiskal, gjithashtu në disa raste edhe shmangia nga standardet. Ky proces kontrolli do të vazhdojë, duke u forcuar dhe duke u bërë edhe më i imtësishëm.
 
Përveç revokimeve të licencave, përmes ndryshimeve ligjore të bëra në vitin e fundit dhe aktet respektive, i është dhënë fund edhe procesit të përpunimit të naftës bruto në mënyrë të pakontrolluar. Ato impiante tanimë nuk marrin më naftë bruto dhe nuk janë të gjendje më të kontaminojnë produktet pasi duhet të respektojnë standardet.
 
"Këto impiante nuk kanë më të drejtë të përpunojnë naftë bruto dhe me udhëzimet që kam nxjerrë si Ministër, me aktet që ka nxjerrë qeveria, kompanitë që prodhojnë naftë bruto janë të detyruara të furnizojnë vetëm rafineritë në Shqipëri. Ju e dini se sa rafineri ka, janë dy të tilla dhe ato janë të vetmet që e bëjnë përpunimin dhe eksportojnë përmes pikave të miratuara.
 
Ky është një element shumë i rëndësishëm sepse më parë ky proces ka qenë i pakontrolluar. Garantojmë qytetarët se procesi i kontrollit do të vazhdojë, ata do të jenë më të mbrojtur përsa i përket standardeve. Ky operacion ka gjithashtu rëndësi pasi do të sjellë më shumë të ardhura në Buxhetin e Shtetit. Nëpërmjet konstatimeve dhe masave ndaj pikave të ndryshme që kanë bërë shmangie fiskale, të cilat nuk kanë pasur kasa apo përdornin pompa mekanike duke fshehur sasitë që shisnin, arka e shtetit do të jetë më e shëndoshë.
 
Qeveria, vitin e kaluar ka kryer investime dhe do të vazhdojë të kryejë, në mënyrë që laboratori jonë për kontrollin e cilësisë të jetë brenda të gjitha standardeve. Duhet ta themi se disa produkte shqiptare, të cilat prodhohen këtu, kanë pasur mundësi të eksportohen dhe në vendet fqinje. Çertifikimet e laboratorit kanë qenë të njohura nga këto vende dhe kanë kaluar testin e cilësisë," -
tha Gjiknuri.

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)