Pjesëmarrja e ulët është problemi mbizotërues në zgjedhjet e Partisë Demokratike në Korçë. Deputeti Ivi Kaso, njëkohësisht drejtues politik për qarkun, thotë se deri më tani s’ka incidente.

"Është një proces përgjithësisht i qetë siç keni mundur ta konstatoni. Procesi ka filluar në orët e para të mëngjesit. Parashikohet të vazhdojë deri në orën 18:00, në qoftë se nuk ka persona të tjerë që presin në radhë për të votuar. Përgjithësisht është zhvilluar i qetë pa problematika të ndryshme. Problematikat që kanë qenë në procese të kaluara, problematika e listave kryesisht duket sikur kësaj radhe janë të kaluara pasi kjo periudhë gjashtëmujore midis procesit i cili nuk arriti të përmbyllej përpara dhe procesit të sotëm ka shërbyer për të gjitha strukturat e partisë edhe për të verifikuar edhe njëherë anëtarësinë mbi të gjitha për të plotësuar listat me atë pjesë të anëtarësisë e cila nuk gjendej e pasqyruar edhe që ishte pak a shumë problematika e radhës së kaluar. Problematika të tjera nuk ka. Një sfidë ngelet gjithmonë në procese të tilla, ngelet pjesëmarrja, pjesëmarrja deri tani është e kënaqshme, sigurisht ka mundësi gjithmonë për më mirë. Nga informacionet që morëm ka kaluar 150 zgjedhës, nuk di të them numrin e saktë pasi kishte akoma persona që votonin. Pritet një pjesëmarrje pak a shumë e ngjashme me ato të proceseve të kaluara që janë përmbyllur, pavarësisht se procesi i fundit ka patur tre katër kandidatë, ky proces ka dy kandidatë”, tha Kaso.

Shifrën e ulët Kaso ia atribuoi largimit të popullsisë, duke shtuar se në Fier numri i votuesve është më i lartë. Më tej, shtoi se krahasimi nuk bëhet me numrin e anëtarëve, por të votuesve që kanë marrë pjesë edhe më herët. Ai mbetet besimplotë se shifra nuk do të shënojë luhatje të forta.

“Atëherë sigurisht numri i plotë i anëtarësisë që i kalon 4.800 përfshin gjithë anëtarësinë e Partisë Demokratike që nga viti ‘91 pasi listat tona të votimit nuk mbajnë parasysh gjendjen faktike të personave, pra ndodhen në territorin e Shqipërisë, në territorin e degës apo nuk ndodhen. Listat janë bërë sa më të gjera ashtu siç e kemi sqaruar dhe në procesin e mëparshëm, në mënyrë që të gjithë demokratët që kanë dëshirë të votojnë ta kenë mundësinë që të votojnë. Neve kemi qenë të parët që si forcë politike kemi vënë gishtin mbi atë që është plaga e sotme e gjithë shoqërisë shqiptare, por edhe qarkut të Korçës në veçanti, që është qarku me shpopullimin më të madh në Republikën e Shqipërisë. Një pjesë janë larguar, por sigurisht garat kur le të themi sa më shumë kandidatura të kenë, për shembull një proces paralel po zhvillohet në qytetin e Fierit, në degën e Partisë Demokratike të Fierit dhe nga informacionet që kam atje pjesëmarrja është më e lartë për shkak edhe se garojnë pesë kandidatë dhe sigurisht kjo motivon mbështetësit e secilit për të votuar. Megjithatë, siç e thashë asnjëherë në këto raste krahasimi nuk bëhet me numrin total të anëtarësisë, por me ata që kanë votuar le të themi në proceset e ngjashme përpara kur pjesëmarrja ka qenë vërtet diçka midis 500 edhe 600 pjesëmarrës. Kemi besim që shifrat, të paktën me sa fola me strukturat të cilat janë angazhuar me njoftimin e personave, do u afrohen shifrave të proceseve të kaluara”, vijoi deputeti.

I pyetur në lidhje me tërheqjen nga gara të kandidatit Irvin Bode, tha se është vullnet personal, por shtoi se edhe periudha 6-mujore që kërkoi procesi, mund të ketë ndikuar.

"Unë besoj që të gjithë kandidatët që ishin në garë në procesin e kaluar, si dhe kandidatët që janë në garë në këtë proces, janë kandidatë të vlefshëm, janë demokratë me kontribute. Tërheqja, sigurisht, ashtu si dhe procesi i kandidimit, është një vullnet personal, është një ambicie politike, por le të themi që duhet parë edhe në kontekst, sepse ambicia politike gjithsesi duhet të konkretizohet edhe në një moment historik të caktuar. Ndoshta fakti që procesi mori kohë që të zhvillohej dhe të ripërsëritet, pra kjo periudhë gjashtëmujore, mund të ketë qenë një nga arsyet që ka ndikuar në tërheqjen e zotit Bode, i cili ngelet sigurisht një demokrat me vlera, anëtar i kryesisë aktuale të Partisë Demokratike dhe pjesë e rëndësishme e kontributit të Partisë Demokratike në Korçë”, u shpreh Kaso.

Selia qendrore në Tiranë i ka kushtuar vëmendje zhvillimit të procesit pa incidente, tha Kaso, duke zgjidhur problematikat si ajo e listave.

"Unë këtë nuk di ta them, por di të them që ne bëmë më të mirën në mënyrë që të sqaronim çdo lloj problematike, të cilat, edhe në ethet e garës, nga problematika që në një moment të caktuar mund të zgjidhen me qetësi, në momentet e etheve të garës, sigurisht marrin tone më të ndezura. Prezenca jonë këtu e deputetëve, jo vetëm atyre në Korçë, por edhe imja si drejtues politik, e koordinatorit gjithashtu për qarkun, Besnik Dervishit, tregon që ka një vëmendje të posaçme nga Partia Demokratike në qendër në Tiranë që procesi të zhvillohet i qetë, të zhvillohet pa incidente. Dhe problematika kryesore që kishte qenë dhe problematikë në procesin e kaluar, ajo e listave, të merrte një zgjidhje sa më të gjerë; pra, edhe nga kjo, kemi dhe një listë gjithëpërfshirëse që arrin në numër total prej mbi 4.800 anëtarësh të partisë, një pjesë e mirë e tyre nuk janë më me banim në Korçë”, përfundoi Kaso.


Lajmi kryesor:

Zgjedhjet për kryetarin e degës së PD në Fier, nis procesi i votimit! Pesë kandidatë në garë (VIDEO)