/ATSH-AFP/ - Rreth dy javë nga zgjedhjet legjislative të 20 shtatorit, Aleksis Cipras, drejtues i të majtës, Syriza, hapi një dritare të vogël bashkëpunimi me socialistët e Pasok në rast se partia e tij nuk do të arrijë të ketë maxhorancën absolute për të formuar një qeveri.
Deri tani, ish-kryeministri kishte përjashtuar çdo bashkëpunim me partitë e ish-regjimit, kryesisht partitë e djathta Demokracia e Re dhe Pasok. Por, dje në mbrëmje, gjatë një interviste për stacionin televiziv "Kontra", ai nuk përjashtoi bashkëpunimin me Pasok, nëse drejtuesi i ri i partisë, Fofi Gennimata, ndryshonte qëndrim dhe distancohej nga e djathta.
"Fofi Gennimata kishte miratuar qëndrimin e djathtë dhe jo atë të social-demokratëve evropianë. Nëse kjo nuk ndryshon, dhe do të isha i kënaqur që kjo të ndryshonte, nuk ka perspektivë për bashkëpunim", theksoi Aleksis Cipras.
Sipas sondazheve, Syriza ka pak mundësi për të arritur një maxhorancë absolute gjatë zgjedhjeve të 20 shtatorit që njoftohen shumë të ngushta.
Të mërkurën, e djathta ka siguruar për herë të parë një avancim të lehtë ndaj Syrizas duke marrë 25,3 për qind të votave kundrejt 25 për qind për partinë e Aleksis Ciprasit.