/ATSH-ANA-MPA/ - Në Athinë mbërrin sot kreu i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem, i cili pritet të takohet me kryeministrin grek, Aleksis Cipras dhe ministrin e Financave, Janis Varufaqis.

"Me këto bisedime fillon konsultimi me partnerët që do të çojë në një marrëveshje jetësuese, totale, për të rindërtuar ekonomisë sociale të vendit, në kuadër të një Evrope që evoluon", thanë burime nga Ministria greke e Financave.

Për një marrëdhënie besimi mes Greqisë së pasmemorandumit dhe Bashkimit Evropian foli kryeministri Aleksis Cipras, menjëherë pas takimit të tij me presidentin e Parlamentit Evropian, Martin Schulz, të enjten në Athinë.

Cipras tha se qeveria ka një plan reformash rrënjësore që do të trajtojë shkaqet e krizës në Greqi dhe theksoi se është e nevojshme që të bëhen konsultime për një zgjidhje totale dhe me dobi reciproke , diçka që, siç nënvizoi, kërkon kohë.

Nga ana e vet, Schulz në deklaratën e vet, tha se rrallë ka bërë një diskutim kaq të sinqertë dhe esencial dhe shtoi se ranë dakord në shumë gjëra, por pati edhe çështje për të cilat nevojitet më shumë diskutim.

Schulz shprehu kënaqësinë e tij që lufta ndaj evazionit fiskal do të jetë prioritet madhor i qeverisë dhe përshëndeti faktin që qeveria greke nuk do të ndërmarrë akte të njëanshme, por do t'i promovojë qëndrimet e veta përmes konsultimeve me partnerët.