Pamjet që vijnë nga Bucha në Ukrainë, janë prova mizore e natyrës kriminale të ushtrisë ruse! Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, ka reaguar për pamjet e vrasjes së civilëve në Ukrainë nga ushtria ruse, për tmerrin që tregohet nga provat mizore të ushtrisë ruse në Ukrainë.

Xhaçka shkruan se imazhet e civilëve të vdekur, si dhe historitë e dokumentuara të përdhunimeve dhe shkatërrimeve tronditëse të qyteteve të tëra, janë padia më e qartë e natyrës së vërtetë kriminale të regjimit rus.  

Ministrja shkruan më tej se Shqipëria, si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Grupit të Miqësisë për Përgjegjshmërinë në Ukrainë, do punojë me aleatët dhe partnerët për të hetuar siç duhet këto krime.

“Të tmerruar nga provat mizore të ushtrisë ruse në Ukrainë. Imazhet e civilëve të vdekur, burra, gra dhe fëmijë, të hedhur në rrugët e qyteteve të çliruara të Ukrainës, historitë e dokumentuara të përdhunimeve dhe shkatërrimeve tronditëse të qyteteve të tëra, janë padia më e qartë e natyrës së vërtetë kriminale të regjimit rus. Bota duhet të veprojë!  Si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së  dhe Grupit të Miqësisë për Përgjegjshmërinë në Ukrainë, Shqipëria do të punojë me aleatët dhe partnerët e saj  në mënyrë që këto krime të evidentohen dhe hetohen siç duhet”, shkruan Xhaçka.

Për pamje tronditëse ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama dhe Presidenti Ilir Meta, të cilët kanë kërkuar nisjen e hetimeve të pavarura në Bucha për këto krime lufte.

Masakrat ruse ndodhën në Bucha, ku njerëz të paarmatosur, civilë dhe fëmijë të vegjël janë ekzekutuar dhe janë lënë në mes të rrugëve të qytetit. Këto masakra janë dënuar nga Perëndimi, ndërsa Presidenti i Ukrainës, Zelensky e ka cilësuar gjenocid. Nga ana tjetër Moska e ka mohuar që të ketë kryer këto makara duke i cilësuar fotot të fabrikuara dhe të pavërteta.

Reagimi në Tëitter

Reagimi i ministres Xhaçka
 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:44
Masakrat në Bucha të Ukrainës, kryeministri Rama: Mizori e pajustifikueshme, të bëhet hetim i pavarur

Kryeministri Rama ka reaguar lidhur me situatën e rëndë nga masakrat në Bucha të Ukrainës.

Rama shkruan në Tëitter se imazhet e tmerrshme janë tronditëse, duke shtuar më tej se duhet bërë një hetim i pavarur për krime të tilla. 

"Imazhet e tmerrshme të civilëve të vrarë në #Bucha Massacre , #Ukrainë , nga ushtria #ruse janë tronditëse. Duhet bërë gjithçka për një hetim të pavarur të krimeve të tilla të tmerrshme. Asgjë nuk mund të justifikojë një mizori të tillë. Sa dhimbje dhe sa turp", shkruan Rama në Twitter.

Ora 21:23
Sulmet e tmerrshme ndaj civilëve në Ukrainë, Meta: Makineria vrasëse e Kremlinit, të hetohen krimet kundër civilëve

Presidenti Ilir Meta ka reaguar për sulmet e rënda ndaj civilëve në Bucha te Ukrainës.

Meta shkruan se është i shokuar nga mizoritë e ushtrisë ruse. Më tej shton se civilët e masakruar, varret masive dhe përdhunimet janë evidenca të pakundërshtueshme të genocidit në Ukrainë. 
Presidenti shkruan më tej se ndërkombëtaret duhet ta ndalin makinerinë vrasëse të Kremlinit dhe se këto krime duhet të hetohen si të tilla.

"Si vend anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe si vend anëtar i NATO-s, Shqipëria do të japë kontributin e saj në këtë drejtim," përfundon presidenti Meta.

I shokuar nga mizoritë e ushtrisë ruse në Bucha dhe rajone të tjera të Ukrainës. Civilët e masakruar, varret masive dhe përdhunimet janë evidenca të pakundërshtueshme të genocidit që Rusia po zbaton në Ukrainë. Bashkësia ndërkombëtare duhet të shumëfishojë përpjekjet për të ndaluar makinerinë vrasëse të Kremlinit.