Hillary Clinton, sekretarja amerikane e Shtetit është ndaluar nga mjekët të kryejë udhëtime me avion para mesit të muajit janar. Masë kjo e marrë pasi u diagnostikua me virus të stinës në stomak dhe gjendjes së saj jo të mirë shëndetësore.

Clinton, 65 vjeçe, duhet ta lërë këtë post pas mbajtjes së betimit të presidentit, Barack Obama më 20 dhe 21 janar.

Duke marrë parasysh gjendjen shëndetësore të sekretares së shtetit, mjekët e kanë këshilluar të mos udhëtojë me avion për disa javë deri në përmirësim.

“Ne nuk kemi parashikuar asnjë udhëtim deri në mes të muajit janar'', shkruan këshilltari i saj, Philippe Reines, në një letër dërguar gazetarëve.

Ajo udhëton dy herë në muaj në të katër anët e planetit dhe duket se do ta ketë pak të vështirë pas sëmundjes të vazhdojë t’a bëjë këtë.

Me një shifër rekord rreth 1,5 milionë kilometra rrugë dhe 112 vende të vizituara, ajo mban rekordin absolut të të gjitha sekretareve amerikane të Shtetit.


(ad.ti/shqiptarja.com)