SHBA - Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, favorite e kampit demokrat në garën për Shtëpinë e Bardhë, mbështeti sot marrëveshjen për programin bërthamor iranian.

”Një marrëveshje joperfekte, por e fortë, që duhet aplikuar me vendosmëri dhe vigjilencë”, theksoi ajo.

Në krye të diplomacisë amerikane nga viti 2009 deri në vitin 2013, Hillary Clinton ka luajtur një rol qendror në krijimin e politikës së administratës Obama përballë Teheranit, një bashkim i vendosmërisë dhe dorës së shtrirë.

Ajo ka qenë në linjën e parë në miratimin në vitin 2010 në OKB të një sërë sanksioneve për Iranin.

Që prej nënshkrimit të marrëveshjes, më 14 korrik në Vjenë, mes Iranit dhe grupit 5+1 (SHBA, Francë, Britani e Madhe, Rusi, Kinë dhe Gjermani), kandidatja demokrate kishte shprehur mbështetjen e saj për marrëveshjen që parashikon limitimin e programit bërthamor iranian në këmbim të një heqjeje progresive të sanksioneve ndërkombëtare që kanë përkeqësuar ekonominë e tij.

“A është perfekte? Sigurisht që jo. Asnjë marrëveshje e këtij lloji nuk është kurrë e tillë. A është e fortë? Po”, deklaroi ish-sekretarja amerikane e Shtetit gjatë një fjalimi në ”Brookings Institution” duke shtuar se kjo marrëveshje bllokonte të gjitha rrugët e Iranit drejt një bombe bërthamore.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)