
Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka përkujtuar 81-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë. Ai bëri homazhe në Monumentin Nëna Shqipëri në nderim të Dëshmorëve, nga ku përcolli edhe një mesazh. Blushi uroi në emër të kreut të PL-së, Ilir Meta ditën e çlirimit, ndërsa shtoi se ky përvjetor e gjen vendin të uzurpuar nga një "sekt", duke iu referuar qeverisë.
"Në emër të Presidentit Meta dhe të Partisë së Lirisë, duam t'i urojmë sot të gjithë shqiptarët, Gëzuar Ditën e Çlirimit! Sot përulemi me mirënjohje, me respekt dhe me nderimin më të thellë para të gjithë të rinjve dhe të rejave, nga Mujo Ulqinaku dhe të gjithë ata të rinj, të cilët që ditën e parë të pushtimit të Shqipërisë, kundërshtuan dhe luftuan me armë në dorë bishën nazi-fashiste. Nderojmë Qemal Stafën, Margarita Tutulanin, Vojo Kushin dhe mijra të rinj dhe të reja që në lule të rinisë dhanë jetën në luftë me pushtuesin për t'i rikthyer lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin Shqipërisë.
Për fat të keq, ky përvjetor çlirimi e gjen sot vendin të uzurpuar nga një sekt, i cili jo vetëm ka tradhëtuar vlerat e lirisë, jo vetëm e ka shndërruar Shqipërisë në një vend me të burgosur politik, por dhe në një vend ku më shumë se kurrë të rinjtë dhe të rejat në radhë të parë, duhet të marrin në dorë fatet e tyre për t'i rikthyer njëherë e përgjithmonë lirinë të gjithë shqiptarëve. Ndaj ky është dhe do të jetë misioni i Partisë së Lirisë, t'u rikthejmë lirinë të gjithë shqiptarëve. Lavdi dëshmorëve të Atdheut!", tha Blushi.
Lajmi kryesor:
Sot 81-vjetori i Çlirimit, krerët e shtetit homazhe te Varrezat e Dëshmorëve! Opozita përçahet, PD s'e njeh 29 Nëntorin, PL nderon (VIDEO)











