SHBA - Një ngjarje e jashtëzakonshme u regjistrua në ndeshjet e djeshme të NBA, ku protagonisti absolut ishte ylli i Miami Heat, Bam Adebayo. Basketbollisti amerikan realizoi plot 83 pikë në fitoren 129 - 150 kundër Washington Wizards, duke hyrë në historinë e ligës më të fortë të basketbollit në botë.

Kjo performancë është e dyta më e mirë individuale në historinë e NBA, duke mbetur vetëm pas legjendarit Wilt Chamberlain, i cili realizoi 100 pikë më 2 mars 1962 në përballjen mes Philadelphia Warriors dhe New York Knicks. Me këtë paraqitje, Adebayo kalon edhe rekordin prej 81 pikësh të vendosur nga Kobe Bryant në ndeshjen e Los Angeles Lakers kundër Toronto Raptors më 22 janar 2006.

Që në periodën e parë, Adebayo tregoi se do të ishte një mbrëmje e veçantë, duke realizuar 31 pikë. Ai qëndroi në parket për 41 minuta e 54 sekonda, ndërsa 36 pikë i shënoi nga gjuajtjet e lira. Edhe pse nuk konsiderohet një fenomen absolut, Adebayo ka qenë vazhdimisht mes 20 - 25 basketbollistëve më të mirë në NBA gjatë sezoneve të fundit. Megjithatë, paraqitja e tij në këtë ndeshje ishte diçka krejtësisht e jashtëzakonshme.

“Këto janë momente të veçanta. Nuk do ta harroj kurrë këtë mbrëmje”, u shpreh pas ndeshjes Bam Adebayo, protagonisti i një nate që do të mbetet gjatë në historinë e NBA.

Wilt Chamberlain dhe Bam Adebayo