Fshati Gjoricë është i njohur për prodhimtari të lartë në bujqësi e pemtari. Aktualisht fermerët po vjelin mollët pas një pune të mundimshme dhe me shumë shpenzime, sidomos për spërkatjen.

‘Mua më kanë shkuar shpenzimet 450 mijë lekë deri në këtë moment. Duhet të marr pleh kimik në shkurt, sapo të vijë koha ne e mbjellim kot’- tha Zenel Mera, fermer.

‘Kjo molla që ta dish ti do shumë punë. Do spërkatje, duhet krasitje, do vaditje, plehrim, do punim’.- tha Jeton Miftari.

Të zhgënjyer, ata thanë se në treg produkti tërhiqet nga tregtarët e shumicës me çmim tejet të ulët, 20-deri në 30 lek për kg.

 ‘Mund të kemi dei në 3 deri në 4 dynym pa vjelë sot. S’ka treg fare. Jo më larg se pardje në Klos, nuk na u shit molla. E dhamë me 200 lekë të vjetra nuk na e mori askush.’- u shpreh Miftari.

‘Me këto shpenzime që kemi ne dhe të arrish të shesësh mollën edhe prap me 30 lekë prapë me shumë vështirësi, nuk e dimë se si do shkoj kjo punë.’- tha fermeri Mera.

Si në Gjoricë apo Shupencë dhe fshatra të tjerë të Dibrës, njohur për këtë kulturë bujqësore, mungesa e tregut është shqetësimi kryesor. Fermerët thanë se nuk kanë përfituar subvecione, ndaj kostoja e prodhimit është më e lartë se sa fitimet.

 ‘Kur ta marrësh atë prodhim. Vetëm helm (ilaç) ka shkuar 1 milion lekë', thotë fermeri.

 'Është për t’ia vënë s’patën të gjithë prodhimit. Na thanë investim, investim po nuk morëm as subvencion dhe asnjë gjë', shprehet fermeri Zenel Mera.