Mbyllja e hapësirës ajrore në Lindjen e Mesme dhe e nyjeve kyçe aeroportuale si Dubai dhe Doha po i çon në kupë të qiellit çmimet e fluturimeve mes Europës dhe Azisë, edhe deri në 900% nga një ditë në tjetrën.
Në linjat më të kërkuara jo vetëm që nuk ka më vende të lira në fluturimet direkte, por edhe opsionet me një ndalesë janë pakësuar. Kush duhet të udhëtojë mes dy rajoneve dhe nuk ka rezervuar ende për ditët e ardhshme duhet të përgatitet për dy, madje edhe tre ndalesa tranziti. Kjo rezulton nga analiza e bërë mbi dhjetëra linja ajrore.
Ndërsa linjat ajrore si Emirates, Qatar Airways dhe Etihad Airways vazhdojnë të zgjasin pezullimin e fluturimeve, sepse hapësirat ajrore në Gjirin Persik mbeten të mbyllura, efekti po ndihet drejtpërdrejt te rreth një e treta e pasagjerëve që çdo ditë udhëtojnë mes Europës dhe Azisë duke bërë ndalesë në Dubai, Doha dhe Abu Dhabi. Në përgjithësi, sipas të dhënave të Cirium, rreth 10% e trafikut ajror botëror kalon nëpër këto hub-e, me pasoja të dukshme për gjithë sistemin.
Treguesi më i qartë i këtij bllokimi është pikërisht rritja e çmimeve mes Europës dhe Lindjes. Sipas operatorëve të sektorit, në ditët e para të konfliktit, kur tre kompanitë e mëdha të Gjirit kishin ndalur fluturimet, tarifat kishin pësuar një rritje të lehtë. “Të gjithë prisnim që trafiku të kthehej në normalitet që të hënën më 2 mars”, tregojnë dy drejtues të kompanive ajrore perëndimore.
Por kur tensionet në rajon u përshkallëzuan, situata ndryshoi shpejt. “Që nga pasditja e së hënës kemi parë një rritje të paprecedentë të rezervimeve, sidomos nga Azia drejt Europës”, thonë drejtuesit. “Ka pasur një garë për të blerë fluturime kthimi, sidomos nga klientë që ndodheshin për punë ose nga familje që ishin me pushime në Azinë Juglindore”.
Sipas ekspertëve, kjo kërkesë e menjëhershme u shtua edhe nga tensionet mes Afganistanit dhe Pakistanit, që po rrisin frikën për mbylljen e një prej dy korridoreve të fundit ajrore mes Europës dhe Azisë. Korridori “qendror”, që kalon mbi Irak dhe Gjirin Persik, është tashmë i mbyllur, ndërsa ai “jugor”, mbi Arabinë Saudite, është nën vëzhgim të fortë.
Rritja e rezervimeve u reflektua menjëherë edhe në çmime. Për shembull, për fluturimet e 4 marsit një biletë nga Singapori në Milano kushtonte minimalisht 254 euro nëse blihej më 2 mars. Një ditë më vonë çmimi më i ulët kishte arritur në 1.876 euro, një rritje prej 639%.
Në të njëjtën periudhë, fluturimi Singapor–Londër u rrit nga 261 në 1.564 euro, ose +499%.
Edhe lidhjet e tjera patën rritje të forta. Linja Bangkok–Milano u rrit me 84% brenda 24 orëve, ndërsa Singapor–Frankfurt shënoi një rritje prej 1.805%, nga 398 në 7.582 euro, sepse opsioni i vetëm i mbetur ishte një fluturim në klasë Business me ndalesë në Paris.
Rritje të ndjeshme pati edhe për Hong Kong–Milano (+232%), Hong Kong–Frankfurt (+905%) dhe Hong Kong–Paris (+295%). Kjo tregon se mijëra pasagjerë kanë blerë fluturime alternative për të shmangur Lindjen e Mesme.
Ndërkohë bllokimi i tre kompanive të mëdha të Gjirit po krijon një mundësi për rivalët që operojnë nëpërmjet hub-eve jashtë rajonit. Mes tyre janë Turkish Airlines përmes Stambollit, Singapore Airlines përmes Singaporit, Cathay Pacific përmes Hong Kongut dhe kompanitë kineze që kalojnë nëpër Pekin dhe Shangai.
Sipas ekspertëve, janë pikërisht këto kompani që po thithin një pjesë të madhe të pasagjerëve që normalisht kalonin nëpër Dubai, Doha dhe Abu Dhabi. Situata mund të mos zgjasë shumë, por për sa kohë Gjiri mbetet i bllokuar, flukset ajrore po devijojnë drejt rrugëve të tjera./CorrieredellaSera
Komente








