Familjet shqiptare po harxhojnë më shumë para për të përballuar kostot e jetesës. Në total përgjatë vitit të kaluar, thotë INSTAT shpenzimet mesatare mujore për konsum për një familje ishin 95,227 lekë, ose 2.3 % më shumë se në vitin 2024.

SHPENZIMET MUJORE TË FAMILJEVE
Viti 2023               91,675 lekë
Viti 2024              93,042 lekë
Viti 2025               95,227 lekë

Me ritëm më të shpejtë rezulton se është rritur fatura mujore për të garantuar furnizim me ushqime. Për të blerë bukë, mish, bulmet, perime dhe produkte të tjera, një familje shqiptare vjet ka shpenzuar mesatarisht 37.859 lekë në muaj, ose 2.6% më shumë se në vitin 2024.

SHPENZIMET PËR USHQIME
Viti 2023      36.349 lekë/muaj
Viti 2024      36.879 lekë/muaj
Viti 2025      37,859 lekë/muaj

Për shkak të çmimeve të larta, ushqimet ‘rrëmbejnë’ gati 40% të buxhetit të familjeve shqiptare. Në raportin e Institutit të Statistikave brenda kategorisë së ushqimeve, fatura më e lartë vjen nga perimet.

7,647 lekë në muaj është mesatarja që shpenzon një familje për t’u furnizuar me perime, ndjekur nga produktet e mishit, që marrin 16.6% të buxhetit që shkon për ushqime ose 6.284 lekë/muaj, dhe më pas 15.5% e buxhetit shkon për bukë dhe drithëra ose 5.868 lekë në muaj.

SHPENZIMET MUJORE PËR USHQIME
Perime                 7,647 lekë/muaj
Mish                     6,284 lekë/muaj
Bukë-drithëra       5,868 lekë/muaj

Pas ushqimeve, shpenzimet më të mëdha të shqiptarëve janë për pagesën e ujit, dritave dhe qirave me 9.7% të totalit të shpenzimeve ose mesatarisht 9.237 lekë në muaj. Më tej shpenzimet në restorante dhe hotele marrin 7.5% të faturës mujore dhe 7.2% e shpenzimeve është tek zëri i transportit.

I vetmi qark që e tejkalon nivelin mesatar të shpenzimeve është Tirana, ku një familje shpenzon në muaj mesatarisht 110.904 lekë, ndjekur nga Korça me 93.381 lekë dhe Durrësi me 91.992 lekë. Qarqet më të varfra rezultojnë Dibra me 77.027 lekë në muaj dhe Kukësi me 76.009 lekë shpenzime mujore për konsum për familje.