Shtrenjtimi i ushqimeve që në nisje të vitit thotë eksperti i ekonomisë Fatos Çoçoli ndodh për shkak të mungesës së prodhimit vendas në këtë sezon.

“Arsyeja kryesore është që tani ne kemi fruta dhe perime të serave sepse është situatë si të thuash sezonaliteti i tillë që vijnë frutat dhe perimet nga serat dhe vë nuk kemi prodhimin e vendit. Nuk kemi prodhimin vendas të tokës së hapur, ai i ul ndjeshëm çmimet e ushqimeve e fruta-perimeve në radhë të parë”, thotë Çoçoli.

Kurse eksperti i ekonomisë Igli Tola thotë se situata duhet të vihet në kontroll nga shteti, sepse duhet të forcojë kontrollin në tregm për të ndaluar abuzimet.

“Duhet të kuptojmë që çdo njësi ekonomike, qoftë ajo në tregun e tregtimit me shumicë dhe me pakicë ka për qëllimin e saj maksimizimin e fitimit. Përgjegjësia në këtë rast është e institucioneve, inspektorateve, Autoritetit të Konkurrencës, të cilët duhet të jenë shumë aktiv për të investiguar dhe për të gjurmuar, produktin nga prodhimi, transporti, zhdoganimi dhe derisa vjen në fund të ditës kalon zinxhirin e qarkullimit në tregun vendas, derisa vjen tek tryeza e qytetarit”, thotë Tola.

Përtej prodhimit vendas, produkti i importit thotë eksperti duhet të ishte shumë më i lirë prej zhvlerësimit të valutave, por në treg po abuzohet duke rënduar xhepin e konsumatorëve. Çoçoli sjell si shembull rastin e naftës që vetëm nga konvertimi i valutave duhet të ishte më i lirë.

“Duke qenë se dollari është kaq i lirë në tregun tonë dhe nafta tek ne nuk shitet me dollar as me euro, por në lekë, sot për shkak të dollarit duhet të ishte të paktën 20% më lirë, sepse dollarin e kemi 20% të zhvlerësuar. Tregon se kompanitë që sjellin naftën, abuzojnë dhe askush nga institucion tona kontrolluese të shtetit nuk i thotë mor zotëri po e merr naftën me kaq dollarë pse nuk e reflekton këtë në çmimin fundor” thotë Çoçoli.


Lajmi kryesor:

Ushqimet vetëm shtrenjtohen, në tryezat e dominuar nga importi nuk reflektohet tkurrja e valutave, 'Konkurrenca' për Report TV: Po analizojmë çmimet e supermarketeve