Nga 3 shtatori importi i mishit të gjedhit dhe të shpendëve nga Brazili është i ndaluar, në zbatim të rregullave të sigurisë ushqimore në BE, pas dyshimeve se mishi prej këtij shteti ka nivel të lartë të përdorimit të antibiotikëve.
Praktikisht shteti me të cilin për dy dekada vendi ka bërë tregti mishi, nuk do të na furnizojë më, pavarësisht dominimit që mishi i Brazilit ka pasur në tregun tonë.
Vetëm në 8 muaj vendi ka importuar 32 mijë tonë mish sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e doganave. Sasia më e madhe e mishit, sipas të dhënave të cilat rezultojnë në sistem, është importuar nga Brazil, Greqia, Shtetet e Bashkuara, Italia, Paraguai.
Po sipas të dhënave të vëna në dispozicion nga Dogana më shumë se 30% e importit të mishit gjatë 8 muajve të këtij viti por edhe vitin e kaluar është siguruar nga Brazili.
Në Shqipëri, importet nga Brazili përdoren në pjesën dërrmuese në industrinë e përpunimit të mishit. Pas këtij ndalimi, përpunuesit paralajmërojnë rritje të çmimeve për produktet që tregojnë deri në 30%, pasi në treg do të ketë mungesë mishi.
Por për ekspertët ky është një alarm abuziv, pasi bizneset janë njoftuar që në qershor për këtë vendim të BE-së, dhe se njëjtë si Brazili ka tregje të tjera që janë furnizues të mëdhenj global.
“Tregtarët dhe furnizuesit e kësaj kategorie të mishit të ngrirë kanë pasur kohë të mjaftueshme të gjejnë tregje alternative, që nuk mungojnë. Amerika është një gjigant i madh dhe shumë vite më para ka pas dominuar në mishin e ngrirë”, thotë Ilir Pilku.
Maksimumi thotë eksperti i bujqësisë Ilir Pilku mund të ndjehet një shtrenjtim deri 5% për produktet e sallamerisë.
“Autoritetet tona përkatëse të konkurrencës e të tjera duhet të duhet të jenë më aktive sepse nuk ka vend që ne të përballemi me një rritje çmimi të mishit që tregtohet në dyqanet tona, sepse nuk ka lidhje fare me Brazilin. Ajo që mund të ketë një rritje rreth 5% maksimumi janë produktet e përpunuara, pra sallameritë. Pavarësisht se ne në të gjithë historikun tonë kemi treguar që jemi më të mirët dhe më të shkathtë për abuzim”, thotë Pilku.
Madje sipas tij nuk duhet lejuar në mënyrë kategorike një abuzim me cmimet e mishit nëpër thertore, pasi prej Brazilit nuk është importuar mish i freskët, por vetëm i ngrirë që shkon për përpunim.
“Mishi që ne importojmë nga Brazili, është një gamë të madhe mish i ngrirë, viçi, pule dhe derri që kryesisht shkon për përpunim, nuk flitet për mish të freskët sepse mishi i freskët ne na vjen kryesisht nga Bullgaria, Rumania, Polonia dhe Serbia. Pra që janë kryesisht viçat të gjallë që kalojnë në thertore. Prandaj në dyqanet tona nuk duhet të ketë asnjë ndryshim në çmimin e mishit që qytetarët blejnë në thertore”, tha ai.
Rreziku për shtrenjtim të mishit pranohet edhe nga vetë ministria e Bujqësisë, e cila shprehet se parësore për ata është siguria ushqimore.
“Brazili është një eksportues me potencial shumë të lartë në rang global por garantimi i sigurisë ushqimore mbrojtjes së konsumatorit është prioritet i Ministrisë së Bujqësisë, i qeverisë shqiptare. Në lidhje me rrezikun e shtrenjtimit apo mungesës në treg, do të kemi një zëvendësim gradual të produkteve të shtetit nga shteti i Brazil të tjera të tjera të treta të cilat plotësojnë garancitë e kërkesave të Komisionit Evropian”, thotë zëvendësministrja e bujqësisë Tana Kika.
Kurse eksperti i ekonomisë Eduart Gjokutaj këshillin qytetarët të mos dynden në furnizime mishi pasi në këtë mënyrë do të stimulonin një shtrenjtim më të madh.
“Kjo tendencë e shtrenjtimi padyshim tregu jonë e reflekton çdo herë që mund të ndodhin ndryshimi në zinxhirët e tij të furnizimit. Mund të kemi ndoshta një rritje e vogël për shkak të përballimit të atyre kostove që janë prej zhvendosjes nga një shtet tek tjetri. Qytetarëve u duhet sqaruar të mos kenë panik pasi paniku e rrit kërkesën dhe kërkesa pastaj ndikon te spekulimi me çmimet”, tha Gjokutaj.
Por çfarë importojmë nga Brazili? Të dhënat e Doganës tregojnë se në 8 muaj kemi blerë gati 6 mijë ton mish pule, 569 tonë mish gjedhi dhe 4 mijë tonë mish derri.
Sa i takon çmimit me të cilin është importuar mishi nga Brazili është tejet i ulët, në krahasim me çmimet me të cilat përballemi sot në vend. Sipas të dhënave të Doganës 1 kilogram mish pule është zhdoganuar me mesatarisht 167 lekë, mishi i derrit me 193 lekë dhe mishi i gjedhit me 338 lekë.










Komente
Komento