SARANDË- Në kulmin e sezonit turistik, korriku ka shtuar vëmendjen e vizitorëve të cilët zgjedhin Sarandën për të kaluar pushimet verore.

Hapja e rrugës së re, Kardhiq-Delvinë përmes tunelit të Skarficës pritet të rrisë fluksin e pushuesve këtë vit, ndërsa operatorët turistikë në qytetin e Sarandës pohojnë shtimin e numrit të rezervimeve në muajin korrik dhe gusht.

 “Rezervimet janë shtuar, më së shumti ka rezervime për mesin e dytë të korrikut dhe të gushtit”, tregon një operatore turistike.

 “Më pëlqen shumë ushqimi tradicional shqiptar, dhe jam e interesuar për kulturën. Sa i përket çmimeve, mendoj se është pak më e lirë, por nuk më pëlqejnë shumë çmimet në tregjet e marketeve. Mendoj se Shqipëria është një vend i këndshëm me një kulturë dhe histori të pasur”, tha një turiste e huaj.

Çmimet e rezervimeve në Sarandë këtë vit kanë pësuar një rritje në nivelin 10-15 % në krahasim me vitet e kaluara e po ashtu edhe restorantet.

 “Çmimet janë të përballueshme. Flasim për apartamente me kushte shumë të mira, nisin nga 30 euro, deri në 60-70 euro”, thotë një operatore e zonës.

“Ka një rritje rreth 15% të çmimeve të restoranteve. Çmimet e çadrave, shezlongeve në Ksamil janë relativisht tek 1500 lekëshi, i cili për mua relativisht mendoj janë pak lart”, tregojnë operatorët turistik.

Por vetë operatorët turistikë denoncojnë abuzimet që bëhen me rritjen e çmimeve në zonë duke kërkuar nga strukturat shtetërore monitorimin e tyre.

 “Shteti duhet të kontrolloj për ata që abuzojnë, pasi problemi është kush merret me kontrollin e cilësisë së shërbimeve tona”, thotë operatori.

I zgjedhur prej vitesh bregdeti i Sarandës është një prej destinacioneve më të preferuar për turistët vendas dhe të huaj .