Çmimi i naftës më i ulti në 7 javë, shtohen rezervat amerikane

Çmimi i naftës më i ulti në 7 javë, shtohen rezervat amerikane

Çmimet e naftës ranë me rreth 2% të mërkurën, niveli më i ulët në shtatë javët e fundit. Analistët besojnë se rënia është ndikuar nga një rritje befasuese e rezervave amerikane të naftës së papërpunuar, shpresat për armëpushim në Lindjen e Mesme dhe vazhdimi i inflacionit në Shtetet e Bashkuara, çka po frenon uljen e normave të interesit dhe kërkesës për naftë.

Deri në publikimin e lajmit, tregu Brent, që shihet si pikë referimi për çmimet globale të naftës, shënoi një rënie prej 1.6% ose 84.94 dollarë për fuçi. Çmimi i një fuçie naftë në tregun WTI, që ka të bëjë me çmimet e naftës bruto në Shtetet e Bashkuara, ra me 1.7% ose 80.54 dollarë për fuçi.

Shifrat e mëngjesit të së mërkurës tregojnë se dy tregjet shënuan rënien më të madhe që nga 13 marsi, duke bërë që Brent dhe WTI të jenë pranë territorit të mbishitjes për herë të parë që nga dhjetori i vitit 2023.

Agjencia amerikane për energjinë (EIA) tha se firmat energjetike rritën rezervat e naftës së papërpunuar me 7.3 milionë fuçi gjatë javës që përfundoi më 26 prill.

Ndërkohë janë shtuar pritshmëritë për arritjen e një marrëveshje armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit pas një shtytje të udhëhequr nga Egjipti për të ringjallur negociatat e ngecura edhe pse kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është zotuar të vazhdojë sulmin në Rafah.

“Tregu i naftës së papërpunuar po ndikohet nga shpresat e vazhdueshme për një armëpushim”, tha analisti Ole Hansen me Bankën Saxo. “Përveç kësaj, inflacioni në SHBA ka ulur më tej pritjet për uljen e normave”.

Rezerva Federale pritet që të mos e ulë normën bazë të interesit që ka qenë që nga korriku i vitit 2023 mes intervaleve 5.25% dhe 5.50%. Banka Qendrore filloi rritjen e interesit në mars të vitit 2022 për të luftuar inflacionin në rritje. Norma më të ulëta interesi do të reduktonin kostot e huamarrjes çka do të nxiste rritjen ekonomike dhe kërkesat për naftë./VOA

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Lufta/ Sulm masiv me raketa në Kharkiv! Zelensky: 2025 bëhet viti i paqes për Ukrainën

Lufta/ Sulm masiv me raketa në Kharkiv! Zelensky: 2025 bëhet viti i paqes për Ukrainën