“Deklarata e paqes” e miratuar nga Donald Trump, Vladimir Putin dhe Xi Jinping në Kinë mund të shënojë një ndryshim në mënyrën se si merren vendimet për çështjet ndërkombëtare, duke i dhënë më shumë peshë tri fuqive të mëdha dhe duke lënë në hije Ukrainën dhe Europën. Ky është vlerësimi i gazetarit Federico Fubini në një analizë për gazetën italiane Corriere della Sera.
Sipas Fubinit, pika e deklaratës që parashikon rritjen e furnizimit me produkte nafte dhe garantimin e rrjedhës së qëndrueshme të energjisë mund të shihet si një hap drejt dobësimit të sanksioneve ndaj naftës ruse. Ai e interpreton këtë pjesë edhe si një kundërshtim të sulmeve ukrainase ndaj rafinerive ruse dhe, ndoshta, të bllokadës së Ngushticës së Hormuzit. Autori vëren gjithashtu se pas deklaratës kanë rënë ndjeshëm çmimet e naftës dhe të dizelit.
Një tjetër pikë që ngre shqetësime, sipas analizës, është qëndrimi i tre liderëve ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare. Duke theksuar rëndësinë e imunitetit të përfaqësuesve shtetërorë, deklarata, sipas Fubinit, dobëson rolin e kësaj gjykate dhe të institucioneve të ngjashme. Ai e sheh këtë si një goditje ndaj parimeve të së drejtës ndërkombëtare mbi të cilat mbështetet Europa.
Edhe angazhimi për reformimin e OKB-së interpretohet nga gazetari si një sinjal se Trump, Putin dhe Xi Jinping synojnë një rend ndërkombëtar ku vendimet kryesore merren nga fuqitë e mëdha, pa një rol të barabartë për vendet europiane.
Për Fubinin, samiti i Shenzhenit nuk ishte thjesht një takim për fotografi, por një zhvillim me peshë për marrëdhëniet ndërkombëtare.
Lajmi kryesor:
'Lufta bërthamore nuk ka fitues', samiti historik Trump-Putin-Xi në Kinë mbyllet me 'Deklaratën e paqes'! 4 pikat: Reformimi i OKB-së, energjia, sovraniteti i shteteve dhe armët nukleare







