Çmimi i naftësKosovë është rritur ndjeshëm gjatë dy javëve të fundit, duke arritur deri në 1.71 euro për litër, një nivel që po rëndon drejtpërdrejt xhepin e qytetarëve.

Si vend që varet nga importi, Kosova ndikohet fort nga luhatjet në tregjet ndërkombëtare, sidomos nga tensionet në Lindjen e Mesme. Por për qytetarët, kjo përkthehet thjesht në kosto më të larta në përditshmëri.

Shumë prej tyre thonë se çmimet janë bërë të papërballueshme dhe po kërkojnë alternativa më të lira jashtë vendit, kryesisht në Maqedoninë e Veriut apo Mal të Zi.

“Për momentin, derivatet në Kosovë janë shumë të shtrenjta. Nuk ka zgjidhje tjetër përveçse ose të dalim në këmbë, ose të shkojmë të furnizohemi në Maqedoni apo Mal të Zi, sepse në Kosovë janë shtrenjtuar tepër. Sa i përket çmimeve në Kosovë, janë shumë të larta, dhe në veçanti derivatet janë shtrenjtuar shumë kohën e fundit. Vetëm duke shkuar në Maqedoni për t’u furnizuar, sepse atje çmimet janë më të lira”, thotë një qytetar për RTK-në.

Ekspertët e ekonomisë paralajmërojnë se situata kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga qeveria. Sipas tyre, ulja e akcizës dhe e TVSH-së për derivatet do të ishte masa më direkte për të lehtësuar barrën.

Ekonomisti Lulzim Beqiri vlerëson se nëse hiqet akciza dhe ulet TVSH-ja, çmimi i naftës mund të zbresë në rreth 1.20 euro për litër, duke e bërë më të përballueshëm për qytetarët dhe bizneset.  

“Kjo do t’u ndihmonte qytetarëve të vendit, të cilët do të kishin të paktën një përkujdesje nga shteti, dhe njëkohësisht do të ndihmonte edhe bizneset për të parandaluar zinxhirin e rritjes së çmimeve në të gjithë linjën e prodhimit. Prandaj, është e domosdoshme që institucionet përkatëse të ulin akcizën dhe TVSH-në. Në këtë mënyrë, çmimi maksimal për një litër naftë do të ishte rreth 1.20 euro dhe do të ishte më i përballueshëm për qytetarët e Kosovës. Dëmi nuk është i madh për buxhetin e shtetit, sepse jemi në krizë dhe shteti duhet të marrë përsipër edhe obligimet që ka ndaj qytetarëve”, thotë Beqiri.

Njohës të ekonomisë thonë se kjo do të ishte ndihma më direkte, duke pasur parasysh se tashmë është në fuqi edhe vendimi i Ministrisë së Tregtisë që përcakton marzhe të fitimit prej 2 centë për shitjet me shumicë dhe 12 centë për shitjet me pakicë.

Ndërkohë, ndryshe nga Kosova, Maqedonia e Veriut ka ndërhyrë duke ulur TVSH-në për derivatet nga 18% në 10% për dy javë, si masë për të përballuar krizën e çmimeve.