Në një shkresë zyrtare drejtuar dy ministrave të qeverisë, Delina Ibrahimajt të Ekonomisë, dhe Enea Karakaçit të infrastrukturës, si dhe kryetares së komanduar të Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani, Shoqatat e Transportit ngrenë alarmin për situatën e krijuar pas shtrenjtimit të karburanteve
“Sektori i transportit publik ndodhet në një situatë tejet të vështirë ekonomike, si rezultat i rritjes së ndjeshme të kostove operative, në veçanti të karburantit, mirëmbajtjes, pjesëve të këmbimit dhe detyrimeve të tjera të lidhura drejtpërdrejt me ofrimin e shërbimit”, thuhet në deklaratën e tyre.
Shoqatat kërkojnë ndërhyrjen e shtetit për subvencionimin urgjent të çmimit të karburantit, duke paralajmëruar se në rast të kundër do të jenë të detyruar të reduktojnë flotën e mjeteve për shërbimet e transportit, me 30 përqind.
“Mosndërhyrja në kohë nuk prek vetëm operatorët ekonomikë, por cenon drejtpërdrejt interesin publik, qytetarët përdorues të këtij shërbimi dhe funksionimin normal të jetës urbane dhe ndërurbane”, nënvizojnë ata.
Më 1 prill, përfaqësues të qeverisë zhvilluan një takim me anëtarët e shoqatës, ku sipas këtyre të fundit u premtua riaktivizimi i një skeme mbështetëse të aplikuar gjatë krizës së luftës në Ukrainë. Kjo skemë e vitit 2022, parashikonte kompensim prej 100 lekësh për litër karburanti për linjat urbane dhe ndërqytetase.
Megjithatë, sipas operatorëve, deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret, dhe as nuk u është dhënë asgjë përgjigje për kërkesat e tyre.
Komente












Qeveria te liberalizoje tregun! Jemi gati te hapim kompani me Autobuz elektrik dhe pa fatorino !
Përgjigju