Deputeti socialist Erion Braçe ka kërkuar rikthimin e bordit të transparencës për karburantet, duke reaguar pas rritjes së çmimit të naftës që sot sipas tij shitet me 214-216 lekë për litër, ndërsa varianti më cilësor i saj arrin deri në 230 lekë për litër

Në një video të postuar në Facebook, Braçe paralajmëron se rritja është e qëllimshme dhe se sezoni turistik mund të marrë një goditje kolosale si pasojë e rritjes së çmimit të naftës duke i kthyer destinacionet turistike në vende qëndrimi dhe jo vende të vizitueshme.

Ai kritikon tregëtarët që sipas tij ‘fituan para me lopatë’ gjatë kohës së Bordit dhe kërkon me ngulm kthimin e tij që kriza e ccmimeve të mos kufizojë lëvizshmërinë gjatë sezonit turistik.

“Nafta kërceu sot në 214-216 lekë për litër. E zakonshmja kjo. Nafta tjetër, ajo e mira që nuk të djeg makinën, nis me 218 dhe arrin në 230 lekë për litër. Tregtarët e rritën çmimin në nisje të fundjavës, kur ndodh gjithashtu fluksi më i madh i pushuesve të korrikut që kthehen dhe fluksi edhe më i madh i pushuesve të gushtit që shkojnë në destinacionet turistike. E qëllimshme? Ja bën muuuuuuu! E njëjta gjë edhe sot në Itali, nga mjeshtri i Kartelit të Naftës kopjon vazhdimisht. Një javë e pak më parë kërkova kthimin në punë të bordit, paralajmërova këtë që po ndodh sot. E dija që këta që nuk fituan me lopatë gjatë kohës së bordit, do bënin çmos të fitonin me kovën e skrepit tani, në pik të sezonit. Duhet bordi që këta mos i japin një goditje fatale sezonit në kulmin e tij, duke shtrenjtuar e thuajse kufizuar lëvizshmërinë nëpër destinacionet e këtij vendi!”

Reagimi i deputetit Erion Braçe vjen në një kohë kur qeveria ka nxjerrë për konsultim një projektvendim që vendos rregulla të reja për tregun e karburanteve. Projektakti parashikon shenjimin e detyrueshëm të naftës dhe benzinës me një substancë të posaçme, me synimin për të gjurmuar lëvizjen e tyre në të gjithë zinxhirin e furnizimit, për të forcuar kontrollin mbi tregun dhe për të luftuar evazionin fiskal.

Sipas projektvendimit, shërbimi i shenjimit do të kryhet ekskluzivisht nga shoqëria shtetërore ALBTrace CO, ndërsa subjektet që importojnë, tregtojnë apo shpërndajnë karburante do të paguajnë një tarifë prej 6.5 euro pa TVSH për çdo 1 mijë litra të shënjuara.

Projektakti parashikon gjithashtu që, pas një periudhe implementimi prej gjashtë muajsh, asnjë produkt që i nënshtrohet shenjimit nuk do të mund të importohet, tregtohet, transportohet apo të hidhet në treg pa kaluar më parë procesin e shenjimit dhe monitorimit.