FIER- Brenda një muaji, ureja dhe nitrati janë shtrenjtuar me 1400 lekë për kuintal, ndersa DAP-i me 1100 lekë për kuintal.
Report TV kreu një vëzhgim në disa pika të tregtimit të inputeve bujqësore ne Fier ku konstatoi se çmimet e plehrave kimike janë rritur ndjeshëm brenda një muaji. Ureja nga 5400 lekë për kuintal ka shkuar në 6800 lekë, DAP-i nga 8500 në 9600 lekë për kuintal, ndërsa nitrati nga 4400 në 5800 lekë për kuintal.
Jashtë kamerave tregtaret thane se kjo rritje lidhet me zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe ndikimin që ka lufta si fillim ne rritjen e naftës e mandej në produktet e tjera të importit. Ata thonë se është hera e parë që çmimet rriten kaq shpejt dhe në nivele kaq të larta. Ky shtrenjtim pritet të ketë një efekt domino në treg, pasi rritja e kostos së prodhimit për fermerët përkthehet më pas në rritje të çmimeve për konsumatorët në tregun e pakicës.
Report TV e vijoi vëzhgimin në Cakran të Fierit, ku në këtë periudhë fermerët janë duke kryer krasitjen dhe plehërimin e ullinjve. Ata pohojnë se krahasuar me vitin e kaluar, çmimet e DAP-it dhe URE-së janë rritur ndjeshëm në pikat e tregtimit të inputeve bujqësore.
“Është rritur çmimi më shumë për shkak të naftës. Ureja me të cilin bëjmë pleherimin e dytë është shtrenjtuar. Ne po spërkasim tani dhe jemi në hall. S’kemi mundësi t’i blejmë se janë dyfishuar. Nuk i përballojmë dot”, shprehen ata.
Fermerët shtojnë se për shkak të lagështirës së madhe këtë sezon, ullinjtë kanë nevojë të spërkaten dy deri në tre herë, por me këto çmime kostot janë bërë shumë të vështira për t’u përballuar.
“Mua s’më leverdis t’i mbaj. Do t’I shkul ullinjtë. Ne kërkojmë ndihmë nga shtetit të na kompensojë që të prodhojmë, ndryshe jemi të falimentuar”, thanë ata.
Cakrani është një nga zonat më të mëdha të kultivimit të ullinjve në vend, me rreth 600 mijë rrënjë ullinj dhe një prodhim vjetor prej rreth 50 mijë kuintalësh.
Komente











