Arratisja e një të kërkuari që i kishte shpëtuar një operacioni të madh të Guardia di Finanza-s së Bergamos, i cili në maj të vitit 2025 kishte çmontuar një bandë italo-shqiptare, përfundoi në Mançester të Mbretërisë së Bashkuar.
Anëtari i fundit i grupit dhe njëkohësisht kreu i tij, u lokalizua dhe u arrestua nga njësitë speciale të policisë britanike, të cilat ndërhynë në vendstrehimin e tij pas një hetimi kompleks ndërkombëtar të koordinuar nga Prokuroria e Bergamos. I arratisuri ndodhet tani në një burg britanik në pritje të ekstradimit në Itali.
Arrestimi përbën hallkën e fundit të një hetimi të nisur në maj 2025 kundër një organizate kriminale italo-shqiptare me bazë në Bergamo, por aktive në Lombardi, Emilia-Romagna, Toskanë, Lazio dhe Kalabri. Grupi akuzohet për një sërë veprash penale, përfshirë trafik droge, grabitje dhe vjedhje në banesa luksoze, shfrytëzim prostitucioni, zhvatje, përvetësim dhe tregtim mallrash të vjedhura, mashtrim dhe armëmbajtje pa leje.
Hetimet e Njësisë së Policisë Ekonomiko-Financiare të Bergamos kishin çuar më herët në arrestimin e 12 personave dhe në sekuestrimin e pasurive me vlerë 1.2 milionë euro. Kësaj shume i shtohen edhe 500 mijë euro para në dorë, të fshehura në ndarje të posaçme të krijuara në automjetet e organizatës. Gjatë operacionit u sekuestruan gjithashtu 25 kilogramë kokainë dhe hashash, si dhe një Mercedes Limousine i pajisur me standarde VIP, me vlerë 200 mijë euro, të cilin banda e përdorte për menaxhimin e aktivitetit të prostitucionit.

Fillimisht, hetimet ishin përqendruar te menaxhimi i disa kompanive të dhënies së makinave me qira në Bergamo dhe Treviolo. Më pas, verifikimet u zgjeruan dhe zbuluan se automjetet e marra me qira pa shofer përdoreshin sistematikisht për kryerjen e një sërë veprash penale nga persona me precedentë penalë, kryesisht me origjinë shqiptare. Në këto raste, kompania e qirasë nuk lidhte asnjë kontratë dhe shmangte qëllimisht lënien e gjurmëve mbi identitetin e përdoruesve të vërtetë të automjeteve./IlGiorno
Komente






