PRISHTINË - Ministri i Integrimeve Bekim Çollaku ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta votojnë projektligjin për përgjimet, pasi sipas tij, ky ligj është kriter për liberalizimin e vizave.
Sipas KosovaPress, Çollaku duke arsyetuar rëndësinë e këtij ligji ka thënë se ky ligj nuk mund të konsiderohet si ligj i izoluar, pasi është pjesë e pakove të ligjit që rregullojnë funksionimin e organeve të rendit.
Sipas tij, Kushtetuta e Kosovës garanton të drejtat e njeriut përfshirë edhe të drejtat e privatësisë, duke shtuar se projektligji përcakton qartë se operatori i rrjetit i përgjigjet vetëm një urdhri të ligjshëm.
Çollaku tha se është i vetëdijshëm për debatin që është zhvilluar në komisionin për Integrime Evropiane dhe shqetësimet që ata kanë ngritur, por sipas tij, kudo në botë projektligji që rregullon këtë fushë përcillet me debate të panumërta.
Në anën tjetër, Grupi parlamentar i LDK-së do t'i votojë rekomandimet që ky ligj të kthehet në Qeveri për plotësim./ATSH/