Prishtinë - "Qeveria kosovare do t'i jape një shtytje të re punësimit dhe axhendës evropiane" u shpreh ministri  i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, në një diskutim sot në Qendrën e Politikës Evropiane në Bruksel ku prezentoi  zhvillimet aktuale në Kosovë dhe çështjet kyçe për zhvillimin e vendit.
"Këtë vit ne jemi të fokusuar në përfundimin e dy proceseve kyçe që do të ankorojnë Kosovën në rrugën e integrimit në BE e ato janë MSA dhe liberalizimi i vizave", theksoi ai.
Në këtë debat publik, sipas njoftimit dërguar nga Brukseli, ministri Çollaku diskutoi nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE-në dhe përfundimin e procesit të liberalizimit të vizave. Ministri kosovar i Integrimit Evropian u fokusua në vazhdimin e bisedimeve të nivelit të lartë për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe zbatimin e marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013.
Temë e posaçme ishte edhe trajtimi i nivelit të papunësisë dhe pakënaqësive sociale, si dhe rritja e luftës kundër korrupsionit për të inkurajuar investimet e jashtme, plani i qeverisë për zhvillim ekonomik dhe hapat tjerë që duhet ndërmarrë për të shtyrë përpara reformat e gjithanshme.
Ministri Çollaku foli për prioritetet e qeverisë së re të Kosovës, zhvillimim ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Vëmendje iu kushtua çështjes së migrimit të parregullt dhe masave të shtuara insititucionale që janë duke u ndërmarrë për të ndaluar ketë dukuri të dhimbshme dhe negative për shoqërinë kosovare.
Ministri u shpreh se, "fokusi i qeverisë për zhvillim ekonomim pritet të zbusë shkallën e papunësisë". "Ka ende nevojë për përmirësimin e mëtejshëm të mjedisit të të bërit biznes. Nga këndvështrimi ynë, ne duam të përmirësojmë atë duke forcuar më tej gjyqësorin, adresimin e të drejtave të pronësisë, zbatimin e kontratave, por edhe duke vazhduar për të shkurtuar burokracinë dhe thjeshtimin e rregullave për ngritjen e bizneseve", u shpreh ai. Ai ripërsëriti që nuk ka dyshim se Kosova ka një potencial të madh për transformimin e saj dhe se, BE ndër të tjera duhet të fillojë ta shohë Kosovën dhe rajonin si një zonë të interesuar për tregti, investime dhe mundësi të biznesit.
/ATSH/