TIRANE- Ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Çollaku theksoi dje se takimi në Prizren që do të bëhet sot ndërmjet qeverisë shqiptare dhe asaj të Kosovës synon që të bëj presion tek Brukseli mbi idenë e bashkimit kombëtar. Në një postin më faqen e tij në “facebook” Çollaku shton gjithashtu se qëllimet e dy kryeministrave shqipëtar janë të ndryshëm por që lidhen me interesat e tyre personale. “Mbledhja e përbashkët e dy qeverive në Prizren, e frymëzuar nga qeveria e Tiranës synon të luaj me emocionet e idenë e Bashkimit Kombëtar. Dy kryeministrat me mbledhjen e Prizrenit zgjidhin halle të ndryshme. Ai i Prishtinës përpiqet të rikuperojë mbështetje elektorale, e cila duket e lëkundur pas zgjedhjeve të fundit lokale.

Ndërsa kryeministri i Tiranës e ka hallim më të madh dhe dorën më të rëndë. Ky i Tiranës ka më shumë se një rast që është shfaqur alergjik ndaj idesë së bashkimit kombëtar, ndaj duket i panatryrshëm ky pasion i ri nacionalist. Më së shumti duket se kërkon ti bëjë presion naiv Brukselit dhe Washingtonit për skepticizmin e shfaqur hapur, duke kundërbalancuar hezitimit për statusin kandidat, simbolikat e bashkimit kombëtar. Në fakt integrimi në BE nuk kundërshton bashkimin e shqiptarëve, madje është një rrugë e sigurt drejt tij. Këtë shqiptarët e kanë kuptuar shumë më mirë se sa kryeministri i Tiranës”,- shkruan Çollaku në “facebook”.

Ky reagim i Ish-zëvendësministrit të Punëve të Jashtme në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike erdhi një ditë para se dy qeveritë shqiptare të bashkohen në një tryezë në Prizren. Takimi do të zhvillohet sot dhe mesa duket kjo gjë nuk i shkon shumë përshtat opozitës shqiptare. Lidhur me këtë, disa eksponent të opozitës jan shprehur disa herë kundër takimit të dy qeverive të dy shteteve shqiptare, Shqipëria dhe Kosova në një tryezë të vetme, gjë kjo që mund të lidhet me faktin se sot do të jetë hera e parë që bëhet një vizitë e tillë. Gjatë qeverisjes së Berishës, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka zhvilluar disa takime zyrtare në Tiranë, por as një herë që të jetë rënë në një mendje për të zhvilluar një tryezë pune ndërmjet dy kabineteve.

Kësisoj kjo mund të jetë edhe një nga arsyet e kundërshtimit të Partisë Demokratike, pasi Berisha shpesh herë kur ishte në krye të qeverisë përdorte kartën nacionaliste për të rritur kredibilitetet e tij në elekoratin shqiptar. Në takimin e sotëm pritet që të miratohen disa vendime të rëndësishme ndërmjet qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës që do të lidhen kryesisht në rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve. Krahas kësaj, është përcaktuar një fond i veçantë që do të shkojë për Luginën e Preshevës.
 
Shkrimi u publikua sot (11.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)