TIRANË - Avokati Sokol Çomo, i propozuar nga Partia Socialiste si anëtar i KLD-së në vend të Neshat Fanës – ish-avokatit të Berishës - ka marrë miratimin e Komisionit të Ligjeve në Kuvend.

Ai foli sot para Komisionit, që u mblodh në mesditë, duke iu përgjigjur pyetjeve për aktivitetin e tanishëm, masat ndëshkimore që mund t'i ishin dhënë gjatë punës si jurist, pasurinë etj. Kandidatura e tij do t'i paraqitet nesër Kuvendit për votim. Opozita nuk mori pjesë në komision.

PYETJET QË IU DREJTUAN ÇOMOS NGA DEPUTETËT

Kryetari i Komisionit të Ligjeve - deputeti i PS-së Fatmir Xhafaj tha në hapje të mbledhjes se “ se jemi pak me vonesë në këtë proces, por ai është në përputhje me rregulloren. Kërkesa duhej bërë nga jo me pak se 28 deputetë. Ligji ka përcaktuar se anatari i KLD-së, që zgjidhet nga Kuvendi duhet të jetë jurist," ndërsa kandidati Çomo falenderoi deputetët që e propozuan dhe sqaroi se "në mënyrë të përgjithshme, në CV-në time është deklaruar veprimtaria profesionale e lidhur  me pushtetin gjyqesor."
 
Relatori Subashi: Doja të bëja disa pyetje. A ka pasur ndonje ndryshim thelbësor në pasurinë tuaj? A ka pasur ndonjë masë disiplinore në aktivitetin që ushtroni si avokat?
 
Çomo: Është pothuajse e njejta gjendje pasurore. Gjatë kësaj kohe kam ushtruar profesionin e avokatit dhe kam shtuar të ardhurat nga ky profesion. Kam deklaruar çdo gjë. Përsa i përket masave disiplinore, nuk kam asnjë. Jam anëtar i bordit të Shkollës së Avokatisë.  Ju deklaroj se nuk ekziston asnjë papërgjeshmëri.
 
Manja: Cili është vizioni juaj për të rritur efektivitetin e këtij institucioni?
 
Çomo: Ky pushtet duhet të funksionojë në mënyrën e duhur. Është një pushtet gjyqësor që nuk funksonon ashtu siç duhet. Fokusi im do të jenë dy moment: Së pari, në kërkesën që veprimtaria e këtij ligji të jetë në përputhje me Kushtetuten e së dyti, neutralizimi i një veprimtarie të moralshme. Ajo që është e rëndësishme është fryma që do kenë anëtarët e këtij instucioni.
 
Xhafaj: Jeni duke e ushtruar veprimtarinë e avokatit?
 
Çomo:
Gjatë vitit kam punuar në bankën “Intesa San Paolo”; ushtroj veprimtarinë pranë kësaj banke; e kam ndërprerë aktivitetin pranë Gjykatës së Shkallës së Parë dhe në Apel.

PROPOZIMI I SOKOL ÇOMOS NGA PARTIA SOCIALISTE
 
Propozimi i emrit të Sokol Çomos është bërë në mbledhjen e djeshme të grupit PS, ku vetë Rama ka qenë i pranishëm për jo më shumë se 5 minuta. Kandidatura e Sokol Çomos ka mbledhur firmat e deputetëve të PS-së.

Në korrik Neshat Fana u emërua në krye të shkollës së Magjistraturës, menjëherë më pas PS kundërshtoi emërimin e Fanës si një tjetër akt të qeverisë në ikje për të marrë peng të gjitha hallkat e shtetit shqiptar.

Sokol Çomo, i cili vite më parë mbante postin e kryetarit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, në korrik të 2010 ishte një nga kandidaturat e propozuara nga ish presidenti Bamir Topi për anëtar të Gjykatës së Lartë. Partia Demokratike atëherë në mazhorancë rrëzoi kandidaturën.

Redaksia online
(arsh/sg/shqiptarja.com)