Aventura historike e Dritës dhe Shkëndijës në Conference League mori fund të enjten në fazën play-off, por të dyja klubet shqiptare lanë pas një rrugëtim të mbushur me emocione, paraqitje të mira në fushë dhe fitime të mëdha sportive e financiare.
Kampionët në fuqi të Kosovës, Drita e Gjilanit, u mposht 3-2 edhe në ndeshjen e dytë nga Celje në Slloveni dhe me rezultatin e përgjithshëm 6-4 të të dyja ndeshjeve i jep fund aventurës evropiane. Nga ana tjetër edhe klubi kampion i Maqedonisë së Veriut, Shkëndija e Tetovës, u mposht 4-0 nga Samsunspori në Turqi dhe me rezultatin e përgjithshëm 5-0 i jep fund këtij rrugëtimi.
Fiorentina kaloi në fazën e 1/8-ave mes dramës, pasi koha e rregullt në Firenze u mbyll 0-3 për polakët e Jagiellonias. Po me këtë rezultat kishte fituar Fiore në ndeshjen e parë, ndërsa sfida u vendos pas 120 minutave lojë, aty ku në fund Fiorentina u mposht 2-4, por merr të drejtën për të qenë pjesë e shortit të sotëm për fazën e 1/8-ave.
Sot në orën 14:00 do hidhet shorti për tetë çiftet e fazës së 1/8-ave.
Skuadrat që do garojnë në fazën e 1/8-ave të Conference League:
Tetë skuadrat që u kualifikuan nga faza e ligës: Strasbourg, Rakow, AEK Athinë, Sparta Praga, Rayo Vallecano, Shakhtar Donetsk, Mainz, AEK Larnaca
Tetë skuadrat që u kualifikuan nga faza play-off: Crystal Palace, Lech Poznan, Samsunspor, Celje, AZ Alkmaar, Fiorentina, Rijeka, Sigma Olomouc
Celje 3-2 Drita në Slloveni
Drita i dha fund ëndrrës evropiane pas humbjes në të dyja përballjet ndaj kampionëve sllovenë të Celje, me rezultat të përgjithshëm 6-4.
Në ndeshjen e kthimit në Slloveni, vendasit e nisën vrullshëm dhe kaluan në epërsi në minutën e 19-të me Svit Seslar. Vetëm katër minuta më vonë, Darko Hrka dyfishoi shifrat, duke e vënë Dritën në pozitë të vështirë.
Reagimi i ekipit të drejtuar nga Zekirija Ramadani ishte i menjëhershëm, kjo pasi Blerim Krasniqi ngushtoi rezultatin në 2-1 në minutën e 26-të. Megjithatë, penalltia e realizuar nga Seslar në fundin e pjesës së parë riktheu diferencën me dy gola për vendasit.
Në fraksionin e dytë, Albert Dabiqaj riktheu shpresën për Dritën me golin që 'vulosi' rezultatin për 3-2, por Celje administroi avantazhin deri në fund.
Samsunspor 4-0 Shkëndija
Rrugëtimi evropian i Shkëndija u ndal në Turqi, ku u mposht nga Samsunspori me rezultatin 4-0.
Skuadra e drejtuar nga Jeton Beqiri zhvilloi një pjesë të parë shumë të mirë, duke luajtur me guxim dhe duke krijuar disa raste shënimi. Portieri i Shkëndijës, Gaye, mbajti ekipin në lojë me pritjet e tij, ndërsa tetovarët provuan disa herë drejt portës kundërshtare.
Momenti vendimtar erdhi në minutën e 53-të, kur Oliver Ntcham realizoi golin e parë nga 11 metërshi. Më pas vendasit shfrytëzuan hapësirat dhe me golat e Sherif Ndiaye dhe dy realizimet e Marius Mouandilmadji vulosën kualifikimin.
Arritja në këtë fazë për herë të parë në histori dhe përfitimet financiare mbi 6 milionë euro e bëjnë këtë edicion një nga më të rëndësishmit për dy klubet shqiptare.
Conference League, ndeshjet e kthimit të fazës play-off:
E enjte, 26 shkurt 2026
18:45
Celja 3-2 Drita (3-2)
Fiorentina 2-4 Jagiellonia (3-0)
Rijeka 3-1 Omonia (1-0)
Samsunspor 4-0 Shkëndija (1-0)
21:00
AZ Alkmaar 4-0 Noah (0-1)
Crystal Palace 2-0 Zrinjski (1-1)
Lousanne 1-2 Sigma Olomouc (1-1)
Lech Poznan 1-0 KuPS (2-0)
Shënim: Në kllapa () rezultatet e ndeshjeve të para
Rruga drejt finales së Leipzig
Komente









