Falë një ndeshje heroike në Rumani Laçi është kualifikuar për herë të parë në fazën e tretë të një kompeticioni Europian. Kurbinasit pas fitores 1-0 në Elbasan Arena kanë barazuar pa gola në ndeshjen e kthimit kundër Craiova-s, duke prekur një tur që gjithsesi do jetë utopik për t’u kaluar, pasi shorti i ka vendosur përballë gjigandët belg të Anderlektit.
Ndërkohë ndryshe nga Laçi Vllaznia është eliminuar në turin e dytë pavarësisht se pretendonte përmbysjen kundër Ael Limasol. Qipriotët pas fitores 1-0 në shtëpinë e tyre kanë bërë të njëjtën gjë edhe në Shkodër. Vllaznia në këtë 90 minutash u ndal te shtyllat, ndërsa përshtypje bënë edhe tifozët, që prezencën e madhe në stadium e shoqërua me shishe uji në fushën e lojës, që shkonin në drejtim të kundërshtarit. Në përfundim të sfidës protagonistë të ndeshjes u shprehën:
Alban Xhaferri, sponsori i Vllaznisë: “Mendoj se skuadra e Limasol kishte përgatitjen më të mirë fizike. Luajti me topi më mirë. Ne pjesën e parë nuk ishim në nivelin që priteshim, por në pjesën e dytë ishte më e mirë për ne.”
Mevlan Adili, futbollist i Vllaznisë: “Dua t’i them faleminderit dhe ju lumtë djemve për gjithçka treguan në këtë sezon. Kjo pavarësisht asaj që ndodhi, edhe pse ishte më e keqja, jam shumë i lumtur që jam pjesë e këtij ekipi.”
Armand Duka, president i FSHF-së: “Mendoj se dhe fati ndihmoi shumë më shumë qipriotët. Vllaznia bëri shtyllë, në një moment u krijua iluzioni i golit, pra me pak fat mund të ishte më ndryshe dhe ndeshja mund të kishte kaluar në shtesë.”
Sakaq aventurën në Europë e ka mbyllur edhe Partizani, që nuk ka mundur të bëjë asgjë kundër Bazel. Zviceranët pavarësisht fitores 3-0 në shtëpinë e tyre fituan edhe në Elbasan me shifrat 0-2.
Ilir Daja, trajner i Partizani: “Ishim koshientë që përballë kishim një ekip me goxha eksperiencë dhe të konsiliduar si në aspect individual ashtu edhe në grup.”
Trajneri i Bazelit: “Në 90 minuta ishim ne skuadra më e mirë, por megjithatë besoj se Partizani u përpoq të luajë mirë. Mos të harrojmë se në të dyja ndeshjet krijoi shumë, por nuk arriti të shënonte.”
Ndërkohë përveç Laçit në turin e tretë është kualifikuar edhe Teuta, që javën e ardhshme do të përballet me irlandezët e Shamrock Rovers.