Trajneri i Kombëtares Edy Reja shprehet se zhvillimi i finales së Conference League në stadiumin Air Albania është një imazh shume i mirë për vendin. Sipas Rejës Duka i kishte thënë më herët se ky ishte një objektiv të cilin ai dëshironte ta arrinte, ndërkohë që italiani është kujdesuar të evidentojë ‘që kjo është rrugë me të cilën futbolli shqiptar po shkon drejt BE-së’.
“Jam surprizuar për mirë kuptohet nga ky vendim i UEFA-s. Sigurisht me stadiumin e ri të ndërtuar së fundmi edhe faktin që Shqipëria po rritet, ky është motiv i madh kënaqësie veçanërisht për Federatën Shqiptare të Futbollit. Sepse një ngjarje e këtij lloji, pra organizmi dhe pritja e finales së një kompeticioni të UEFA-s është diçka historike për Shqipërinë. Kjo do të thotë që vendi tashmë ka besueshmëri edhe në nivel evropian. Sigurisht, më duhet të them se meritë të madhe ka edhe Presidenti Duka, i cili me raportet që ka krijuar ndërkombëtarisht, me besueshmërinë që ka fituar në forumet e larta evropiane ka bërë që edhe UEFA të ketë besim te projekti i Shqipërisë. Në fakt, pas ndërtimit të stadiumit Presidenti Duka më pati thënë se synimi i tij ishte që të luhej një finale e madhe në Shqipëri dhe sigurisht që ai ka pasur rol kyç në këtë mes”, – thotë Reja.
Më tej, tekniku vlerëson stadiumin e ri të kryeqytetit, që sipas tij do të jetë një reklamë e shkëlqyer për imazhin e Shqipërisë jashtë vendit.
“Në aspektin sportiv shqiptarët do të kenë mundësi të shohin ‘live’ një finale ku vlerat teknike janë të një niveli të lartë, duke shpresuar që në këtë sfidë të vijnë skuadra të rëndësishme. Të organizosh një finale të tillë në stadiumin e ri, që është një vërtetë një xhevahir, do të thotë shumë edhe për imazhin e Shqipërisë në nivel ndërkombëtar. Urojmë të shohim një ndeshje të bukur dhe stadiumi të jetë plot, pasi deri atëherë shpresoj që edhe pandemia të ketë mbaruar. Është e vështirë që UEFA të të japë një organizim të tillë nëse nuk ka garancitë e duhura që vendi është në gjendje të presë një finale evropiane. Edhe në aspektin turistik pritja një eventi të tillë është shumë e rëndësishme pasi do të ketë të ardhura për të gjitha baret, restorantet, hotelet. Nëse të huajve do t’u pëlqejë vendi mund të kthehen sërish për pushime”, – vijon trajneri i kuqezinjve për faqen e FSHF-së.
“Shqipëria po rritet, po zhvillohet dhe po përpiqet të bëhet gradualisht si vendet e tjera të BE-së. Madje, në futboll ka ecur shumë përpara dhe ka treguar se është në nivel me vendet e tjera të unionit. Pastaj janë edhe shkëmbimet kulturore, eksperienca të reja për mentalitete të ndryshme dhe raporte të reja që krijohen në këto raste të pasurojnë dhe e ndihmojnë vendin të zhvillohet. Ky event nuk vlen vetëm për natën e finales, por ka efekte të shumta pozitive javë para ndeshjes dhe më pas me jehonën e ndeshjes”, – u shpreh ndër të tjera trajneri i Kombëtares, Edoardo Reja në prononcimin e tij.
Urojme qe stadiumi mos te jete bosh ate dite
Përgjigju