Copëza që na bëjnë europianë

Copëza që na bëjnë europianë
Në 26 vite rrugëtimi të mundimshëm në demokraci, mes ecjeve përmes një tuneli të errët, të lagësht, të panjohur e plot frikë, më në fund ne shqiptarët po arrijmë të kapim e të shohim ëndrrën tonë: Shqipëria është pak hapa larg civilizimit që ka ëndërruar. E kemi dashur ne dhe të parët tanë, jo vetëm për bukurinë që mishëron civilizimi europian, por edhe për standardin dhe nivelin e rregullave të shtetbërjes.

E ndërsa vazjdojmë të qahemi e ankohemi përditë (njerëzore kjo) mos harrojmë se në thesin tonë janë vendosur gurë të rëndësishëm që duhet t’i shohim si margaritarë të civilizimit tonë modern të mundimshëm. Pa përbuzur e refuzuar asnjë shqiptar, derisa të tjerë shqiptarë nuk i gjykuan dhe nuk i dhanë dënimin para drejtësisë, le të kemi në mëndje këtë javë të shenjtë të palmave (sipas katolikëve), dafinave (sipas ortodoksëve) se në gjithë këto viteve, veç të këqijave, edhe shumë punë të mira janë bërë.

Përditë e më shumë Shqipëria po e heq nga lëkura e saj çehren që kurrë s’e ka merituar: e pisët, e rrënuar, me natyrë e qytete të shkatërruara. Në kohë të demokratëve apo në kohë të socialistëve, sot shqiptarët po shijojnë përditë e më shumë të mirat që kanë mbjellë, e nëse do të vazhdojmë me dashuri dhe shpirt konstruktiv rrugën e ndërtimit, edhe më e mira në derë ka për të na rënë.

Nuk mund të mos na bëhet zemra mal e të mos shijojmë lëvizjen e lirë pa viza. Si zogj të lirë nga një aeroport në tjetrin e nga një port në tjetrin, ne shqiptarët sot udhëtojmë.  Bukuria dhe standardet në aeroportin e Rinastit apo Portin e Durrësit sa herë që udhëtojmë, na bëjnë të ndjehemi europianë ndërsa i përshkojmë. Ndërsa shkojmë në Theth a Valbonë, në Tamarë a në Gramsh, ndërsa shijojmë si tapete të buta rrugët e ndërtuara, ndërsa shohim se si standardet e ndërtimit të tyre po rriten përherë e më shumë, na bën të mendojmë: ne shqiptarët, të ndihmuar nga të huajt po ndryshojmë.

Sot rruga e Kombit e nesër rruga e Arbërit janë vetëm vlera të pasurisë sonë të përbashkët. Puna dhe vetëm puna na mundëson të shijojmë tokën e bukur e natyrën e rrallë që Gjithësia me zemërgjerësi na ka caktuar. Shqiptarët në pushtet kanë abuzuar? Duket se këtë tendencë e kanë pasur shumë humanë që në dorë kanë pasur pasurinë e përbashkët; edhe në Europë, edhe në SHBA, edhe në pjesën tjetër të botës. Por tek ne, të tjerë bashkëatdhetarë, të tjera pushtete, këtë abuzim ua kanë lejuar pa i kundërshtuar me forcën e ligjit dhe të shtetit. Në Siçili lindi Mafia, por po aty italianët krijuan dhe antimafian më të rreptë e përditë luftojnë.
Këto kohë në Tiranë qytetarët po shohin gjëra që pak vite më parë as nuk i kishin menduar: një estetikë e një cilësie të lartë: Lagjet po përmirësohen, fushat e sportit e shkollat, parqet; Pazari i Ri një kryevepër, në qendrën Toptani pihet kafe apo hahet akullore duke u shërbyer nga shumë shqiptarë të Kosovës e të duket sikur në punë të mira jemi bashkuar. Nëse pranojmë që etika dhe estetika do të na detyrojnë të ndryshojmë e të na përmirësojnë, atëherë le të vëzhgojmë e të marrim pjesë në këtë ndryshim magjik për të ecur përpara.

Të distancohemi e të mos besojmë ata që për servilizim partiak, vetëm anatemojnë pa arritur të shijojnë e të dallojnë të mirën e të bukurën, por të trembur e të shqetësuar vetëm nga llogaria e tyre në bankë, vetëm negativitet shpërndajnë
.
Të zgjedhim, të kalojmë nëpër mendje punët e mira që janë bërë e po bëhen, e të ecim përpara vetëm duke ndërtuar, drejt civilizimit që kemi ëndërruar e dëshiruar gjithmonë.
Në këtë Periferi përmenda vetëm pak punë e bukuri; seicili ka listën e tij për të shënuar e një tjetër listë të gjatë pa fund të gjërave që duhen sistemuar. Askujt nuk duhet më t’ja lejojmë të na pengojë e të na heqë nga Rozafa jonë, natën, gurët e themeleve për një jetë më të bukur.

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Serbia ia refuzon Sveçlës kërkesën për vizitë në Luginë

Serbia ia refuzon Sveçlës kërkesën për vizitë në Luginë