Në Kosovë kanë arritur 38,400 dozat e vaksinës kundër koronavirusit përmes programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Lajmin është konfirmuar nga Agjencia për Fëmijë e Kombeve të Bashkuara, UNICEF dhe zyra e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Kontingjentin e ri të vaksinave në kuadër të Aleancës COVAX e pranuan kryeministri, Albin Kurti, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ambasadori i Britanisë së Madhe, Nicholas Abbott, Shefi i Zyrës së BE-së, Tomas Szunyog, ambasadorët e Francës dhe Gjermanisë, drejtori i UNICEF-it, Murat Sahin dhe drejtoresha e Misionit të USAID në Kosovë, Lisa Magno.
Ky është edhe kontigjenti i dytë i vaksinave të programit të COVAX në vend dhe shpërndarja e vaksinave do të bëhet në bazë të planit kombëtar të vaksinimit të Kosovës.
Më 28 mars në Kosovë kishte arritur dërgesa e parë me 24.000 doza të vaksinës. Këtë javë dhe javën e kaluar, vendi ka pranuar edhe dy kontingjente vaksinash Pfizer/BioNTech, me mbi 7,000 doza në total, si donacion nga Bashkimi Evropian.
BE-ja ka ndarë gjithsej 95,000 doza të vaksinave për Kosovën, të cilat do të shpërndahen gradualisht.
Të mërkurën ka filluar vaksinimi i personave mbi 65 vjeç kundër koronavirusit.
Radhë të gjata të qytetarëve janë krijuar te salla e sporteve "1 Tetori" në Prishtinë, ku po vazhdon vaksinimi kundër COVID-19.
Today, we made another important step ✅towards #VaccinEquity ⚖️! Additional, 38,400 doses of #COVID19 vaccine just arrived in Kosovo through COVAX Facility. The distribution will be in line with National Deployment & Vaccination Plan of @MSH_GovKS & NIPH. pic.twitter.com/6ujrE2LpsM
— UNICEF Kosovo Programme (@UNICEFKosovo) May 12, 2021